Me anë të këtij njoftimi dëshiroj t’ju informoj në lidhje me një Projekt të ri të Këshillit të Evropës, i cili ka filluar të implementohet në Shqipëri.
Në vitin 2006 Keshilli i Evropës krijoi një Program të quajtur Programi Europian për Edukimin e Profesionistëve të Ligjit mbi të Drejtat e Njeriut (European Programme for Human Rights Education for Legal Professionals/HELP Programme).
Duke filluar prej Janarit 2012, HELP Programme është zgjeruar duke përfshirë katër projekte të ndryshme, një ndër të cilët është edhe projekti: “Përmirësimi i aftësive të avokatëve për respektimin e kritereve të pranueshmërisë së aplikimeve të paraqitura përpara Gjykates Evropiane të të Drejtave te Njeriut (GJEDNJ) “Enhancing the capacity of lawyers to comply with the admissibility criteria in applications submitted to the ECtHR”.
Në kuadër të këtij Projekti i cili përfshin 6 shtete (Shqipëri, Bullgari, Lituani, Federata Ruse, Turqi dhe Republika Çeke), në datat 11-12 Prill 2012, pranë Këshillit të Evropës në Strasbourg, është mbajtur një takim pune me përfaqësuesit e këtyre 6 shteteve.
Qëllimi i ketij projekti është përmirësimi i njohurive ligjore të avokatëve për të respektuar kriteret e pranueshmërisë së aplikimeve që depozitohen pranë GJEDNJ.
Për sa i përket objektivave specifike të këtij projekti, me anë të tij kërkohet të reduktohet sa më shumë numri i aplikimeve të papranueshme në kushtet kur përpara GJEDNJ çdo vit depozitohen një numër shumë i madh çështjesh të cilat konsiderohen si të papranueshme.
Me qëllim arritjen e objektivave të këtij projekti, është hapur një website i quajtur HELP website: http://www.coe.int/help, i cili do të pasqyrojë informacione të ndryshme rreth Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (KEDNJ) dhe GJEDNJ (ky website ka filluar të funksionojë pjesërisht dhe pritet së fundmi të shtohen edhe rubrika të tjera). Në këtë website gjenden materiale të ndryshme informative rreth neneve të ndryshme të KEDNJ-së, si dhe statistika rreth Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Një nga pikat më të rëndësishme të këtij projekti është edhe krijimi i Personit Përgjegjës Informues - “Admissibility Information Point” – për secilin shtet anëtar, i cili do të ketë një rol aktiv në website. Personi “Information Point” do të publikojë informacione të ndryshme në website në lidhje me shtetin përkatës (p.sh. informacione rreth legjislacionit apo jurisprudencës përkatëse kombëtare në lidhje me implementimin dhe zbatimin e GJEDNJ në nivel kombëtar).
Së shpejti, do të krijohen edhe faqet zyrtare kombëtare, informacioni i të cilave do të pasqyrohet në anglisht dhe në gjuhën kombëtare. Kjo do të ndihmojë në përdorimin e website jo vetëm nga avokatë dhe juristë, por edhe nga qytetarë apo dhe ankues të mundshëm të cilët janë të interesuar të depozitojnë një ankim përpara GJEDNJ.
Në fillim të muajit Maj, në këtë faqe interneti do të fillojë funksionimin edhe një hotline, e cila është një rubrikë e vecantë, ku avokatë, juristë, qytetarë, ankues të mundshëm mund të bëjnë pyetje në lidhje me kriteret e pranimit të një ankimi përpara GJEDNJ –nenet 34 dhe 35 të Konventës. Admissibilty Information Point - Personi i kontaktit për Shqipërinë do të jetë personi përgjegjës i cili do t’u përgjigjet këtyre pyetjeve në kohën e duhur.
Gjithashtu HELP website do të ofrojë mundësinë e ndjekjeve të kurseve online (kurse mbi të drejtat e njeriut), pjesë e të cilit mund të bëhet kushdo (pas regjistrimit online falas), si dhe do të ofrojë zhvillimin e konferencave të ndryshme.
Një nga rezultatet që pritet të arrihen me anë të këtij projekti është edhe rritja e bashkëpunimit ndërmjet Dhomave të Avokatise me qëllim rritjen e njohurive ligjore të avokatëve, (pjesëtarë të dhomave të avokatisë, klinikave të ndryshme ligjore apo dhe organizatave të ndryshme) përsa i përket kritereve të pranueshmërisë së një aplikimi në kuadër të KEDNJ, si dhe informimi sa më i madh i avokatëve rreth këtij projekti.
Duke shpresuar se ky projekt do të ketë sukses dhe duke pasur parasysh rritjen e numrit të çështjeve që kanë filluar të depozitohen kundër shtetit shqiptar, shpresoj që ky website të përdoret sa më shumë dhe të jetë sa më shumë i domosdoshëm dhe efektiv në punën e përditshme të avokatëve dhe ankuesve të mundshëm në Shqipëri.
Ju ftoj që të regjistroheni në këtë website www.coe.int/help, me qëllim që të rritet sensibilizimi i juristëve shqiptarë në lidhje me problematikat qe paraqet Konventa Evropiane dhe Gjykata Evropiane, si dhe të njiheni më mire me nenet e KEDNJ dhe jurisprudencën se GJEDNJ.
Av. Erinda MELI
(Information Admissibility Point for Albania)
Contact: erindameli@yahoo.com