Showing posts with label Liria e Fjalës. Show all posts
Showing posts with label Liria e Fjalës. Show all posts

18 June 2012

Gjykata Kushtetuese

Nga Dardan Mustafaj
(Avokat)

Para pak kohësh dhënia e dorëheqjes së një anëtari të Gjykatës kushtetuese, Z. Petrit Plloçi, risolli në vëmendjen mediatike këtë institucion. Kjo dorëheqje, edhe pse e drejtuar Kryetarit të këtij institucioni, arriti shumë shpejt në redaksitë e mediave shqiptare por edhe më shpejt në selitë e partive politike. Qëndrimi i opozitës për këtë ngjarje u shpreh nga Partia Socialiste, si forca më e madhe opozitare shqiptare, nëpërmjet deputetit dhe juristit Fatmir Xhafaj.

Dëgjova me vëmendje deklaratën e zotit Xhafaj. Në formë ishte lakonike dhe e qartë edhe pse në përmbajtje ishte, në mendimin tim, jo oportune dhe juridikisht e gabuar.

Së pari, vlerësoj se kjo deklaratë ishte jo oportune pasi, ndër të tjera, zoti Xhafaj sulmoi drejtpërdrejtë legjitimitetin e Gjykatës Kushtetuese duke e quajtur këtë gjykatë të “paligjshme”. Për të mbështetur këtë sulm ai merr shkas nga kërkesa që Presidenti i Republikës paraqiti përpara Gjykatës Kushtetuese. Me këtë kërkesë kërkohej zgjidhja e konfliktit të kompetencës që, sipas Presidentit, ishte krijuar nga vendimi i Kuvendit për të kthyer dekretet për zëvendësimin e tre anëtarëve të kësaj gjykate. Përmbledhurazi sipas zotit Xhafaj, fakti që dy gjyqtarë (të cilëve u ka mbaruar mandati) kanë votuar për rrëzimin e kësaj kërkese është shenjë e cenimit të standardeve të vendosura nga vetë Gjykata Kushtetuese dhe e bën këtë gjykatë të “paligjshme”.