Shёnim paraprak: Vendimet, dhe mё pёrgjithёsisht aktualiteti i Gjykatës Europiane tё të Drejtave tё Njeriut (infra “GJEDNJ”), kanë një vend tepёr të rëndësishëm në skenën juridike shqiptare e megjithatë ato komentohen dhe sqarohen shumë pak në publikimet aktuale që i ofrohen juristëve shqiptarë[1]. Ky është shkrimi i parë i një serie artikujsh që do të pasojnë dhe të cilët do të kenë për ambicje korrigjimin e kёsaj mungese duke hedhur dritë mbi aktualitetin që lidhet me GJEDNJ.
VЁREJTJE TЁ PЁRGJITHSHME MBI RAPORTIN VJETOR PЁR VITIN 2011 TЁ GJYKATЁS EUROPIANE PЁR TЁ DREJTAT E NJERIUT.
Nga: Rudi METAJ
“Faktet flasin mё shumё se statistikat[2]”
Përmbledhje: Ndryshe nga statistikat e përgjithshme sipas të cilave numri i subjekteve që aplikojnë pranë GJEDNJ për të gjetur zgjidhjen e problemeve juridike vazhdon të rritet në mënyrë shqetësuese duke shkaktuar pothuajse bllokimin e plotë të gjykatës, aplikimet kundër Shqipërisë janë në ulje dhe çështjet kundër Shqipërisë janë relatvisht të pakta krahasuar me shtetet e tjera me të njëjtën popullsi.
Nё konferencёn pёr shtyp tё datёs 26 janar 2012, GJEDNJ publikoi raportin vjetor[3] mbi aktivitetin dhe statistikat e kёsaj gjykate gjatё vitit 2011. Instikti mund t’i thotë juristit se vetëm vendimet e GJEDNJ përbëjnë një objekt të denjë për vëmendjen e tij, megjithatë ky raport është i pasur me mësime për këdo që do të gjejë guximin të aventurohet në botën e shifrave. Në vend të vendimeve të cilat do t’i komentojmë gjërësisht në muajt në vazhdim, është pra në interesin tonë që këtë herë të ndalemi tek raporti i sipërpërmendur, në lidhje me të cilin gjykoj se ka dy kategori vërejtjesh që vlejnë të përmenden.
Nё rradhё tё parё bёhet fjalё pёr numrin gjithmonё e mё tё madh tё kërkesave qё paraqiten pranë GJEDNJ (I). Gjithashtu e më duket me interes për çdo jurist shqiptar një ndalesë e shkurtër tek statistikat e GJEDNJ qё lidhen me Shqipёrinё (II).
I – GJEDNJ viktimё e suksesit tё saj.
Kërkesat qё paraqiten pёrpara GJEDNJ kanё ardhur në rritje shqetësuese prej shumë vitesh tashmё. Larg nga tё qёnit njё problem i ri, u mbushёn gati 10 vjet qё nga momenti kur autorët e parё e kanë ngritur kёtё problem[4].
Numri i lartё i kёrkesave ka shkaktuar funksionim mё tё ngadalёsuar tё GJEDNJ por gjithsesi ajo ka vazhduar pothuajse normalisht punёn e saj deri nё janar tё 2012-ës kur u verifikua njё fenomen qё rrallёkush do ta kishte parashikuar.
Duket se fluksi tepër i lartë i ankimeve kundër Hungarisë e detyroi gjykatën të ndërmarrë masa ekstreme ndaj njё situate ekstreme. Nёpёrmjet njё komunikate pёr shtyp[5] mё datё 11 janar 2012 sekretaria e GJEDNJ njoftonte tё gjithë aplikantet hungarez se këta te fundit janё tё “ftuar” t’i bashkojnё sё bashku kёrkesat (e ngjashme nё objekt) qё mendohet t’i paraqiten GJEDNJ dhe të koordinohen në rang kombëtar përpara se të paraqesin kërkesat e tyre. Edhe pse kёrkuesit janё “tё ftuar” duket se marzhi i tyre i zgjedhjes ёshtё i kufizuar, pasi sekretaria deklaron se “gjykata do të shqyrtojë me prioritet një ose më shumë kërkesa kryesore. Gjatë kësaj kohe ajo nuk do të ndërmarrë asnjë veprim procedurial në lidhje me kërkesat e tjera [të paraqitura kundër Hungarisë]. Gjithashtu, kërkesat që nuk do të paraqiten nëpërmjet sindikatave përkatëse [që janë përzgjedhur për të përfaqësuar ankuesit,] nuk do të regjistrohen për momentin[6]”. Pra, për shkak të fluksit të madh, disa kërkesa që janë depozituar nuk do të trajtohen dhe kërkesat e reja që nuk do të jenë grupuar dhe paraqitur nëpërmjet përfaqёsuesve të caktuar nuk do të regjistrohen fare! Megjithatё mbetet për t’u parё se si do tё zbatohet kjo politikë nga sekretaria e GJEDNJ. Mbetet gjithashtu i rrallë ky fenomen sipas të cilit nje gjykatë, dhe çfarë gjykate, refuzon të regjistrojë kёrkesa të reja me arsyetimin se volumi i punës është shumë i madh.
Sido që këto udhëzime të zbatohen në praktikë dhe pavarёsisht habisё fillestare tё shkaktuar nga deklarata të këtij lloji, njё analizё qoftё dhe e shpejtё e statistikave tё publikuara tregon se volumi i punës është vërtetë jashtёzakonisht i madh. Gjatë vitit 2011 mësojmë se janë paraqitur 50.000 kërkesa të reja. Sipas një llogarie të thjeshtë rezulton se në çdo ditë pune paraqiten mesatarisht rreth 158 kërkesa për shqyrtim. Në këtë pikë lind natyrshëm pyetja: sa nga këto 50.000 kërkesa të vitit 2011 janё pranuar, pra sa prej tyre e kanë kaluar fazën e shqyrtimit paraprak dhe janë bërë kështu objekt gjykimi?
Raporti vjetor i sipërpërmendur pohon se nga 50.000 kërkesat e paraqitura më shumë se 90% nuk pranohen pasi janё haptazi të papranueshme ose të pabazuara. Megjithëse këto shqyrtime paraprake kryhen nga formacione të përbëra (vetëm) nga një gjyqtar dhe nga relatorët përkatës, mbetet përsëri një punë mjaft e madhe t’i shqyrtosh dhe t’i përgjigjesh të gjithave, qoftë edhe me mospranim.
Për tё kufizuar sa më shumë këto kёrkesa te papranueshme dhe të pabazuara, këtë rradhë GJEDNJ ka vajtur deri aty sa të publikojë një video në Youtube ku përmblidhen kushtet thelbësore për pranimin e një aplikimi përpara Gjykatёs. Ky është padyshim një kanal atipik komunikimi, sidomos për juristët të cilët “bëjnë be” vetëm nёpёrmjet teksteve tё tyre të vyer por gjithsesi të mos e paragjykojmë këtë iniciative përpara kohe dhe mbi të gjitha të mos harrojmë se duhet të jenë me mijëra tekste juridike, si rregullore, manuale shkollorë, artikuj revistash të specializuara etj. të cilët trajtojnë kushtet e pranimit të kërkesave pranë GJEDNJ e megjithatё nuk janё shmangur dot rreth 45,000 kërkesa te pabazuara vetёm gjatё vitit 2011.
Le të jetë publikimi i kësaj videoje rasti për të përsëritur edhe njëherë kushtet e pranimit të kërkesave pranë GJEDNJ:
1. Kërkesat e paraqitura në GJEDNJ mund të ngrihen vetëm kundër një Shteti anëtar të Këshillit të Europës (dhe/ose një personi juridik apo fizik të këtij shteti);
2. Ankimi duhet të ngrihet për shkak të shkeljes së një të drejte të mbrojtur nga Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut si p.sh. liria e fjalës, e drejta e respektit të jetës private, e drejta e pronёs etj;
3. Ankimi duhet të ngrihet kundër shkeljes konkrete të një të drejte pra nuk mund të goditet një ligj apo tjeter normë abstrakte por vetëm aplikimi konkret i saj ndaj kërkuesit;
4. Përpara aplikimit pranë GJEDNJ aplikanti duhet t’i ketë shteruar të gjitha mundësitë ligjore të shtetit në fjalë për të zgjidhur konfliktin;
5. Aplikimi pranë GJEDNJ duhet të dorëzohet jo më vonë se 6 muaj pas vendimit përfundimtar të gjykatës më të lartë në hierarkinё e gjykatave tё shtetit në fjalë;
6. Se fundmi, viktima e shkeljes tё sё drejtёs që paraqet ankimin duhet të ketë pësuar një disavantazh domethënës.
Më poshtë video që përmbledh sa me sipër:
Pas kësaj analize të shpejtë të numrit ne rritje të aplikimeve pranë GJEDNJ, mund t’i kthehemi tani statistikave që lidhen me Shqipërinë.
II. Statistikat mbi Shqipërinë.
Mё datё 31 dhjetor 2011, nga 151,624 çёshtje qё janё nё gjykim e sipёr pёrpara GJEDNJ, numërohen 335 çёshtje kundër Shqipёrisё. Kjo shifёr nuk duket se ёshtё shumё e lartё nёse e krahasojmё me shtetet qё kanё njё popullsi tё pёrafёrt me tonёn si p.sh. Bosnja dhe Herzegovina (rreth 4,000,000 banorё), Armenia (rreth 3,300,000 banorё) apo Lituania (rreth 3,700,000 banorё) tё cilёt kanё përkatësisht 1408, 949, dhe 586 çёshtje tё hapura në GJEDNJ.
Ashtu si dhe vitet e tjera, numrin mё të madh të çёshtjeve të hapura e ka Rusia (40,225 çёshtje), Turqia (15,940 çёshtje) dhe Italia (13,741 çёshtje).
Nga tёrёsia e aplikimeve kundra Shqipёrisё nё vitin 2011, janё pranuar pёr shqyrtim 85 kёrkesa (11 kёrkesa mё pak se nё vitin 2010).
Do të ishte interesante të dinim gjithashtu numrin e aplikimeve kundër Shqipërisë të refuzuara për të llogaritur më pas numrin e plotë të subjekteve që kanë tentuar të çojnë çështjet e tyre përpara GJEDNJ. Kjo shifër që do të na lejonte të kuptonim sa subjekte kanë tentuar ta paraqesin çështjen e tyre përpara GJEDNJ, mungon në raportin vjetor, çfarë përbën një mangësi të këtij raporti.
Duket pra se ndërkohë që numri total i kërkesave pranë GJEDNJ është në rritje, ankimet e pranuara që lidhen me Shqipërinë janë në ulje (edhe pse të lehtë) dhe çështjet kundra Shqipërisë që janë nё gjykim e sipër përbёjnë një numër të vogël të totalit të çёshtjeve.
Nëpërmjet një interpretimi optimist të këtyre statistikave mund të arrihet në përfundimin se subjektet shqiptare e gjejnë zgjidhjen e problemeve pranë gjykatave kombëtare duke mos pasur kështu nevojë t’i drejtohen GJEDNJ.
Sidoqoftë, edhe pse një analizë më e vëmendshme dhe kërkime më të gjëra janë të domosdoshme për kësisoj pohimesh, tundimi është i madh për të menduar se është mungesa e dijes nga subjektet juridike dhe sidomos e përfaqësuesve të tyre ligjor[7], që shpjegon këto shifra të ulta çështjesh në lidhje me një vend ku padrejtësitë vështirë se mund të thuhet se mungojnë.
Rudi METAJ
Shkurt 2012
---
1. Megjithatё shih Ledi BIANKU, Jurisprudenca e Gjykates sё Strasburgut, Tiranё, Qendra Europiane, Kёshilli Europёs & Komisioni Europian, 2005.
2. Mendohet se shprehja ёshtё e gjykatёsit Britanik Geoffrey STREATFIELD dhe ёshtё publikuar si “shprehja e javёs” nga The Observer mё 19 mars 1950.
3. Pёr versionin nё anglisht shih Annual Report 2011 of the European Court of Human Rights, Council of Europe, deri mё sot publikuar vetёm nё internet, Strasburg, 2012 [http://www.echr.coe.int/NR/rdonlyres/219E9A92-716A-4337-99DE-053358F536B3/0/2011_Rapport_Annuel_EN.pdf].
4. Shih p.sh. Nicolas KANG-RIOU, “Statistiques et projections. L’évolution du nombre de requêtes présentées à Strasbourg : la Cour EDH, victime de son succès?”, Revue universelle des droits de l’homme, vol. 14 , 2002, f. 259. Shih gjithashtu Gerard SADLIER, “The ECHR – A Victim of its Own Success”, Cork Online Law Review, 2007, f. 65-85.
5. Komunikatë për shtyp e sekretarisë së GJEDNJ, Strasburg, 11 janar 2012 [http://cmiskp.echr.coe.int/tkp197/view.asp?action=open&documentId=898289&portal=hbkm&source=externalbydocnumber&table=F69A27FD8FB86142BF01C1166DEA398649].
6. Ibid. [“La Cour examinera une ou plusieurs de ces requêtes en priorité, à titre d’affaire(s) pilote(s). Pendant ce temps, elle ne prendra aucune mesure procédurale pour les autres requêtes. Par ailleurs, les requêtes qui ne seront pas introduites par l’intermédiaire de l’un des syndicats concernés ne seront pas enregistrées pour l’instant”] (pёrkthimi im).
7. Nuk konsiderohem plotësisht i pёrjashtuar nga kjo kritikё.
Pershendetje dhe pergezime per iniciativen.
ReplyDeleteTema eshte vertete interesante, po pres me padurim artikujt qe do te vijojne.
Nese me lejoni dy verejtje dhe mua mbi artikullin: (1) ka shume shifra, do te kishte qene me mire sikur t'i thjeshtonit pak p.sh. Armenia ka X-fish me shume çeshtje se Shqiperia dhe se dyti (2) per te bere me te lexueshme shifrat ju perdorni nje here piken nje here presjen, pra 50.000 ne fillim dhe 13,234 me pas, çfare nuk eshte koherente.
Pergezimet e mia per temen, stilin e te shkruarit dhe mbi te gjitha nismen! Fillimi i mbare por uroj te mos nderpritet! :)
ReplyDeletePergezime per pozicionimin alternative dhe misionin e revistes. Suksese ne permbushjen e tij!
ReplyDeleteFaleminderit si pёr inkurajimet ashtu dhe pёr vёshtrimin kritik mbi tekstin.
ReplyDeleteR.M.
Sapo lexova kete artikull tek TEMA, dhe vura re që analizat tuaja kane shume te perbashketa:
ReplyDeleteNënkryetari i Gjykatës së Strasburgut, Josep Casadevall Medrano, gjatë një interviste dhënë për Top Channel, deklaroi se pavarësisht se sistemi gjyqësor në Shqipëri ka vështirësi dhe mangësi, ka vullnet për ta përmirësuar atë.
Por Medrano çështjen e korrupsionit në sistem ja hedh fajin përplasjes së ligjeve me standard europian që nuk përputhen me mentalitete të vjetra të vendeve të Europës Lindore.
Gjithsesi Medrano shpjegon gjatë intervistës se nuk mund të bëjë dot një analizë të thellë pasi në Strasburg nga Shqipëria nuk dërgohet asnjëherë ndonjë çështje për korrupsion.
“Nga pikëpamja e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut nuk mund të them ndonjë gjë të saktë për çështje që vijnë nga Shqipëria sepse nuk ka çështje që i përkasin korrupsionit. Por dua të them se çështjet e korrupsionit nuk gjejmë vetëm në Shqipëri, gjejmë në çdo vend me demokraci të re. Zgjidhja vjen vetëm nga një vullnet politik. Ajo që konstatoj është se në të gjitha vendet e lindjes ku janë ndërtuar ligje dhe kushtetuta të standarteve europiane, konsiderohen si tekste ligjore që nuk përputhen me mentalitet e vjetra të këtyre vendeve. Kjo mospërputhje prodhon edhe korrupsionin. Kjo do të dojë kohën e vet derisa të vijë në vend”, shprehet Josep Casadevall Medrano.
Numri dy i Strasburgut i beson vullnetit politik në Shqipëri, por pyetjes nëse edhe vetë politika është e përfshirë në korrupsion, Medrano i përgjigjet duke ftuar çdokënd t’i drejtohet Strasburgut si i vetmi instrument.
“Ju thoni se ka një problem që shkon shumë larg. Pyetja i kalon pozitat e një gjykatësi. Por nëse çështja është kështu si parashtrohet pyetja atëherë cilido duhet ta sjellë çështjen në Strasburg.
Gjithsesi, Shqipëria u bë anëtare e Këshillit të Europës dhe për këtë ajo përmbushi disa standarte. Shqipëria synon të jetë kandidate për në BE dhe për këtë duhet të përmbushë disa standarte të tjera”, shton Medrano.
Nënkryetari i Gjykatës së Strasburgut deklaroi se sipas statistikave shteti shqiptar fiton 90% të proceseve gjyqësore që shkojnë në Strasburg dhe se nuk konsiderohet aspak si shtet problematik.
Interesante!
ReplyDeleteFaleminderit na e solle ne vemendje kete lajm.
R.
Interesante!
ReplyDeleteFaleminderit na e solle ne vemendje kete lajm.
R.