Shënime të shkurtra mbi vendimin e GJEDNJ “Axel Springer”
“In principio erat verbum” (në fillim ishte fjala) - është ky mësimi që tekstet biblike janë munduar të shpërndajnë prej shekujsh dhe po ky trajtim i privilegjuar i është rezervuar fjalës (së lirë) nga vendimi Axel Springer vs. Gjermani datë 7 shkurt 2012 i Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut[1] (infra “GJEDNJ”), të cilës në rastin konkret iu desh të vendoste një ekuilibër midis lirisë së shprehjes (neni 10 i Konventës Europiane pёr të Drejtat e Njeriut [infra “KEDNJ”]) dhe mbrojtjes së jetës private (neni 9 i KEDNJ).
Vendimi Axel Springer vjen në një moment kur këngëtarët dhe shtypi shqiptar, në vend të këngëve për të parët dhe artikujve informues për të dytёt, e kanë përqëndruar talentin në shkrimin e kërkesëpadive dhe prapësimeve për çështjet gjyqësore që kanë kundër njëri-tjetrit. Për këtë arsye do të inkurajoja të interesuarit të lexojnë jo vetëm vendimin por edhe komentet që ky vendim ka gjeneruar[2].
Për qëllimet tona, më poshtë do të rendis disa vërejtje orientuese të cilat as pretendojnë dhe as e lirojnë lexuesin nga “detyrimi” për tё konsultuar vendimin.
I- Faktet
Njё nga aktorёt kryesor tё ngjarjes ёshtё pikërisht një aktor gjerman mjaft i famshëm, i cili në një seri televizive akoma më të famshme se ai vetë, ishte mësuar t’i vendoste hekurat keqbëresve duke qënë se luante rolin e një komisari. Në vitin 2004, gjatë festivalit të birrës në Munih “komisari” arrestohet për mbajtje kokaine. Revista tabloid Bild publikon disa foto dhe artikuj mbi arrestimin dhe një vit më pas një artikull të dytë mbi dënimin e aktorit.
| |
1. GJEDNJ, Dhoma e Madhe, vendimi Axel Springer A.G vs. Gjermanisë, Aplikimi nr. 39954/08, 7 shkurt 2012, Strasburg [lidhje].
2. Shih p.sh. Nicolas HERVIEU, “La liberté d’expression journalistique aux prises avec la vie privée de célébrités et la confidentialité des délibérations judiciaires” në Lettre « Actualités Droits-Libertés » du CREDOF, 10 shkurt 2012 [lidhje]; Shih gjithashtu Andriy PETRIV, “The right to freedom of expression prevailed over the right to respect for the privacy and family life” në Expert Advisory Centre “Legal Analystics” , 20 shkurt 2012 [lidhje].
| |
Revista Elektronike e Aktualitetit Juridik – 1/4 - Revista Elektronike e Aktualitetit Juridik
| |
Revista Elektronike e Aktualitetit Juridik – 2/4 - Revista Elektronike e Aktualitetit Juridik
| |
I pakënaqur nga artikujt dhe duke pretenduar njё shkelje tё privatёsisё sё tij, aktori nis një procedurë të përshpejtuar (sistemi shqiptar nuk njeh njё tё tillё por shumica e legjislacioneve europiane e parashikojnë) në përfundim të së cilës gjykatësit gjermanё së pari ndaluan shpërndarjen e mëtejshme të artikullit të parë, së dyti i akorduan një dëmshpërblim aktorit dhe sё treti i thanë halt çdo publikimi tjetër mbi këtë temë.
| |
Norman Rock, “Freedom of Speech” (Liria e fjalës), vaj në beze, 1943. Tabloja shfaq një mbledhje qytetare diku në Vermont (Sh.B.A) dhe dallohet që dhe pse me prejardhje socio-ekonomike të ndryshme (disa veshur me kravatë e kostum ndersa personazhi qendror me rroba të thjeshta e duar me kallo) të gjithë shprehehen dhe dëgjohen me vëmendje.
|
Natyrisht shoqëria Axel Springer (zotëruese e revistës) nuk pajtohej me pikëpamjen e gjykatësve gjermanё dhe pasi shteroi të gjitha mundësitë kombëtare për zgjidhjen e çështjes e ngriti me sukses ankimin e saj përpara GJEDNJ.
Përplasjen konkrete mes mbrojtjes së jetës private të aktorit dhe lirisë së shprehjes të revistës, gjykatësit gjermanë e kishin zgjidhur në favor të jetës private, por a ishte kjo zgjidhje në pajtim me KEDNJ?
II – Zgjidhja e GJEDNJ: një rast i volitshëm për të konfirmuar jurisprudencën e mëparshme.
Sipas GJEDNJ edhe pse qëllimi i gjykatësve gjermanё ishte mbrojtja e privatësisë së aktorit në fjalë, rrethanat faktike për të justifikuar ndalimin (e mёtejshёm) tё publikimit nuk mjaftonin. Duhet thënë se interesi i kësaj zgjidhjeje nuk qëndron në risinë e saj pasi gjejmë më shumë se një vendim të mëparshëm që shkon në këtë drejtim[3].
Veçantia e këtij vendimi qëndron në faktin se GJEDNJ duket e vetëdijshme për vështirësinë që hasin gjykatësit kombëtarë në “arbitrazhin” mes mbrojtjes së jetës private dhe lirisë së shprehjes që gëzon çdo qytetar nëpërmjet shtypit (qoftë ky dhe tabloid).
|
Për të ndihmuar në këtё ekuilibrim gjykata i jep vendimit një karakter të theksuar pedagogjik, çfarë e kthen atë thuajse në një “manual përdorimi[4]” për zgjidhjen e rasteve të ngjashme.
Më konkretisht GJEDNJ rendit kriteret teorikë që duhen zbatuar nga gjykatësit (por pse jo të gjithë juristët) kombëtarë për të përcaktuar nëse duhet të mbizotërojë mbrojtja e privatësisë apo e lirisë së shprehjes dhe më pas i zbaton këto kritere ndaj rrethanave faktike që përmbante çështja (çfarë përbën një risi krahasuar me redaktimin e vendimeve të mëparshme mbi çështje të ngjashme).
| |
3. Për një shembull të afërt në kohë shih GJEDNJ, Mosley vs. Mbretëria e Bashkuar, Aplikimi nr. 48009/08, 10 maj 2011, Strasburg.
4. Ky përcaktim mjaft i gjetur sipas mendimit tim është i Nicolas HERVIEU,op.cit. shënimi 2.
| |
Revista Elektronike e Aktualitetit Juridik – 2/4 - Revista Elektronike e Aktualitetit Juridik
| |
Revista Elektronike e Aktualitetit Juridik – 3/4 - Revista Elektronike e Aktualitetit Juridik
| |
Analizat teorike dhe praktike të GJEDNJ marrin parasysh një numër tepër të madh detajesh për të pretenduar këtu një analize shteruese të tyre. Rrjedhimisht më poshtë do tё paraqiten në mënyrë të përmbledhur vetёm kriteret kryesore.
III – Kriteret e “arbitrazhit” mes mbrojtjes së jetës private dhe lirisë së shprehjes.
Paraqitja teorike e kritereve mund t’i duket disi abstrakte lexuesve tё rinj tё kёsaj teme por fatmirёsisht zbatimi konkret i tyre qё diskutohet mё poshtё e thjeshton kuptimin e arsyetimit tё gjykatёs. Gjashtë kriteret në fjalë i gjejmë të renditura në paragrafet 86-95 tё vendimit:
1. Kontributi që publikimi sjell në një debat me interes të përgjithshëm (§90). Ky kriter shёrben pёr tё kufizuar dhe dalluar publikimet qё kanё pёr qёllim tё vetёm “thashethemet” nga publikimet qё edhe pse ndёrhyjnё nё jetёn private tё dikujt, justifikohen pёr shkak tё kontributit qё sjellin nё njё debat me interes tё pёrgjithshёm. GJEDNJ e gjykon të arsyeshme të saktësojë se përkufizimi i debatit me një interes të përgjithshëm varet nga rrethanat dhe të rikujtojë duke cituar jurisprudencen e saj se çështjet që lidhen me politikën, krimet, sportin e artistë në karrierë (performing artists) janë gjykuar me interes të përgjithshëm ndërkohë që e kundërta është gjykuar për thashethemet mbi vështirësitë e çiftit të Presidentit të Republikës apo vështirësitë financiare të një këngëtari të njohur.
2. Shkalla e famës së personit në fjalë. Personat “e panjohur” gëzojnë kështu një mbrojtje me të fortë të privatësisё së tyre se personat që kanë zgjedhur të bëjnë një jetë publike.
3. Sjellja e mëparshmë e personit në fjalë. Këtu bëhet fjalë për reagimin ndaj publikimeve të mëparshme të të njëjtit material por edhe materialeve të tjera. Megjithatë bashkëpunimi i thjeshtë me shtypin mbi foto e artikuj nuk e zhvesh personin nga çdo e drejtë për mbrojtje të privatësisë.
4. Mënyra e gjetjes së informacioneve dhe vërtetësia e tyre lidhet me detyrimin e gazetarëve për të vepruar në mirëbesim dhe për t’u bazuar në fakte të verifikuara dhe të besueshme gjatë raportimit të tyre mbi çështjet me interes të përgjitshëm.
5. Kriteri vijues përfshin përmbajtjen, formën dhe pasojat e publikimit. Madhësia e gazetës, shpërndarja e saj, mënyra e publikimit etj. janë të gjitha kritere që mund të merren parasysh në këtë pikë.
| |
Revista Elektronike e Aktualitetit Juridik – 3/4 - Revista Elektronike e Aktualitetit Juridik
| |
Revista Elektronike e Aktualitetit Juridik – 4/4 - Revista Elektronike e Aktualitetit Juridik
| |
6. Së fundmi, rreptësia e sanksionit të shqiptuar duhet gjithashtu të merret parasysh për vlerësimin e përpjestueshmërisë së ndërhyrjes në lirinë e shprehjes.
Mё tej gjykatesit e Strasburgut zbatojnё kriteret e mёsipёrme ndaj rrethanave faktike qё paraqiteshin pёrpara tyre.
Kёshtu, nё rradhё tё parё GJEDNJ gjykon se publikimi i lajmit dhe fotove tё arrestimit ka njё interes tё pёrgjithshёm pёr publikun (kriteri 1) pasi ёshtё e arsyeshme qё publiku tё informohet mbi shkeljet e ligjit, ndёrsa për shkallën e famёs (kriteri 2) qё gëzon aktori nё fjalё gjykata saktëson se pёrgjithёsisht kjo duhet vlerёsuar nga gjykatat kombёtare por nё rastin konkret aktori mund tё konsiderohej i famshёm edhe pёr shkak tё rolit specifik tё komisarit i cili me sa duket nё Gjermani ishte shumё popullor.
Nё lidhje me sjelljen e mёparёshme tё personit nё fjalё (kriteri 3) gjykata vёren se aktori kishte shpёrndarё vullnetarisht mё parё detaje mbi jetёn e tij private dhe rrjedhimisht mbrojtja e privatёsisё qё ai mund tё pretendojё ёshtё e reduktuar.
Pёr sa i pёrket mёnyrёs sё gjetjes sё informacioneve dhe qёndrimit tё gazetarёve (kriteri 4) gjykata vlerёson se pavarësisht disa pohimeve tё vogla tё cilat rezultuan tё pabazuara pёrgjithёsisht gazetarёt nuk ishin nё keqbesim.
Qё në këtë pikë të zbatimit të arsyetimit dallohet lehtë drejtimi që po merr verdikti përfundimtar dhe dy kriteret e fundit nuk do të ndryshojnë asgjë nga ky orientim. Kështu, gjykata vlerëson se përmbajtja (kriteri 5) e artikujve dhe fotove (pavarësisht disa shprehjeve të përdorura për të tërhequr lexuesin) në thelb thjesht relatonte ngjarjen dhe pasojat e shkrimit nuk ishin të tilla që të justifikonin ndalimin e publikimit të mëtejshëm. Nga sa më sipër del qartë qe edhe kriteri i gjashtë (rreptësia e sanksionit) shkonte në favor të shoqërisë së publikimit pasi rrethanat nuk justifikonin ndalimin e shkrimit nga gjyqtarët gjermanё.
“Si përfundim, arsyet e paraqitura nga Shteti përgjegjës [...] nuk janë të mjaftueshme për të provuar se ndërhyrja në lirinë e shprehjes [që gjyqtarët gjermanё urdhëruan] ishte e domosdoshme në një shoqëri demokratike. [...] Gjykata konsideron se nuk kishte një marrëdhënie përpjesёtimore ndërmjet kufizimeve të imponuara nga gjykatat kombëtare ndaj lirisë së shprehjes së shoqërisë paditëse nga njëra anë dhe qëllimit legjitim të synuar [nga gjykatësit gjermanё (kupto: mbrojtja e privatësisë sё aktorit)]. Rrjedhimisht, Neni 10 i Konventës është shkelur” (§110 - §111).
Rudi METAJ
Mars 2012
| |
Revista Elektronike e Aktualitetit Juridik – 4/4 - Revista Elektronike e Aktualitetit Juridik
|
Revista Elektronike e Aktualitetit Juridik ("REAJ") ka pёr qёllim t’i ofrojё njё pikёtakim nё internet lexuesve dhe autorёve tё letёrsisё juridike. Synimi i REAJ, ndёr tё tjera, ёshtё tё publikojё: (1) tekste thelbёsore qё mungojnё nё publikimet e tjera juridike si p.sh.: komente tё vendimeve tё GJEDNJ, dhe (2) shkrime me tё “shkujdesura” tё cilat edhe pse pёrmbajnё informacione tё çmuara pёr juristin shqiptar pёrsёri nuk gjejnё vend nё publikimet ekzistuese.
02 March 2012
Në fillim ishte fjala, më pas privatësia: kriteret e ekuilibrimit të lirisë së shprehjes dhe mbrojtjes së jetës private sipas GJEDNJ.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
Nje rast i ngjashem eshte dhe ceshtja Top Channel - Pango. Top Channel eshte gjobitur me 400 mije Euro ne shkallen e pare te gjyqesorit shqiptar, por duke ndjekur arsyetimin e mesiperm, nese ceshtja perfundon ne GJEDNJ, atehere do te kemi nje vendim ne favor te Top Channel pasi interesi publik per tu informuar ne lidhje me sjelljen e nje zyrtari te larte ka perparesi ndaj jetes se tij private.
ReplyDeletePërshëndetje Gjergji,
DeleteFaleminderit për komentin dhe paralelizmin interesant.
Është e verteteqë arsyetimi i mësipërm mund t’i zbatohet shumë mire çështjes së Top Channel por ka vend për diskutim nëse favorizon Top Channel apo Pangon. Nuk kam qënë në Shqipëri në atë periudhë por në mos gaboj Top Channel e kishte krijuar pak vetë lajmin mbi të cilin pretendonte të informonte sepse ajo zonjusha bashkëpunonte me TCH. Gjithashtu, videot ishin marrë nëpërmjet përgjimit çfarë mund të mos pajtohet me kriterin 4 më lart. Gjithsesi pranoj që edhe e kundërta është e diskutueshme dhe e mbrojtshme nga TCH në varësi të fakteve konkrete ...
Mbi një gjë nuk ka dyshim: vendimi i mësipërm është pjesë përbërëse e normave shqiptare! – pra, Gjykatat e apelit, Gjykata e Lartë dhe ajo Kushtetuese janë të detyruara ta zbatojnë. Kështu që, në parim të paktën, nuk do të kete nevojë të shkohet deri përpara GJEDNJ.
RM.