16 March 2012

Amnistia Fiskale: rruga drejt dështimit


Nga: Aigest Milo

“Amnistia s’është gjë tjetër veçse shprehja e zemërgjerësisë së shtetit për ata  shkelës të cilët do të ishte shumë e shtrenjtë të dënoheshin”[1]
         
          E ashtuquajtura “Amnisti Fiskale”[2], e cila u miratua me shpejtësi të madhe gati një vit përpara, po vjen drejt fundit duke qenë se afati i caktuar për të përfituar nga ajo mbaron më 31 mars. Sigurisht që bilanci përfundimtar i kësaj nisme, sa të debatuar aq edhe të pakuptuar plotësisht, do të bëhet pas datës së sipërpërmendur por sic edhe mund të kuptohet nga titulli i këtij artikulli, opinioni i përgjithshëm është se ajo ka dështuar.











          Një vit më parë, gjatë diskutimeve në Parlament, Ministria e Financave shprehej se rezultatet e “Amnistisë” do të ishin të ndjeshme për ekonominë shqiptare dhe do të arrihej të legalizoheshin rreth tre deri në katër miliardë Euro të padeklaruara. Madje, aktorët e jetës ekonomike (Dhomat e tregtisë, ekspertë, etj.) shkonin edhe më tej me parashikimet e tyre duke deklaruar një shifër prej gjashtë deri në shtatë miliardë Euro. Vetë Ministri i Financave, në paraqitjen e projekligjit në Komisionin e Ekonomisë argumentonte, mes të tjerash, se “Amnistia” do të ndihmonte në një rritje të menjëhershme dhe përshpejtim të investimeve në ekonominë shqiptare.

          Pas një viti, të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se kapitalet e legalizuara deri më tani janë rreth 25 milione Euro, pra një shifer dukshëm më e ulët se ajo e parashikuar…apo e shpresuar!



           Për më tepër, një pjesë e kësaj shume, është transferuar menjëherë jashtë Shqipërisë, një tregues domethënës i cili  bie në kundershtim me parashikimet (apo dëshirat) e Institucionit që pretendohet të kujdeset për financat tona publike.
          Arsyet pse një Amnisti Fiskale mund të dështojë janë të shumta dhe sigurisht Shqipëria nuk është i vetmi shtet i cili nuk ka arritur të ketë sukses në një nismë të tillë. Por ajo që e bën rastin e Shqipërisë të vecantë është se modeli ynë i Amnistisë lindi dhe u zbatua si dëshirë dhe shpresë e organeve qeverisëse për një përmirësim të financave publike dhe jo si një nismë e kompletuar dhe shteruese.
          Së pari, “Amnistia” po shkon drejt dështimit sepse në të vërtetë legjislacioni i miratuar nuk i plotëson kushtet e një Amnistie. Më saktësisht, Kushtetuta e Shqipërisë parashikon se ligji për Amnistinë duhet të votohet nga 3/5 e anëtarëve të Parlamentit. Ligji i miratuar është votuar vetëm nga shumica parlamentare, pra kushti ligjor që kjo nismë të ketë efektet e një Amnistie nuk është plotësuar. Arsyeja pse mosplotësimi i kushtit të sipërpërmendur sjell dështimin e “Amnistisë” është se tatimpaguesit të cilët mund të deklaronin të ardhurat e fshehura nuk kanë asnjë garanci që në të ardhmen nuk do të jenë subjekt i sanksioneve administrative dhe/ose penale[3]. Pra, “mëkatarët” të cilët do të deklaronin të ardhurat e fshehura, mund të gjendeshin në situatën ku nga njëra anë do “rrëfenin” mëkatet e kaluara (duke i paguar buxhetit të shtetit edhe një dëmshpërblim për këto mëkate) dhe nga ana tjetër do të ishin subjekt i sanksioneve administrative dhe/ose penale.
          Së dyti, dështimi i “Amnistisë” shpjegohet gjithashtu edhe me fenomenin e quajtur “moral hazard” (term, shqipërimi i të cilit mund të ishte “dëmi moral”). Dëmi moral i Amnistive Fiskale është efekti që ato kanë te tatimpaguesit e rregullt, pra te ata tatimpagues të cilët i paguajnë rregullisht detyrimet e tyre ndaj buxhetit të shtetit. Dëmi moral qëndron në frikën se mos Amnistitë Fiskale kanë një efekt të kundërt, pra të shkurajojnë tatimpaguesit në lidhje me pagesën e detyrimeve tatimore dhe në këtë mënyrë të shtojnë “mëkatarët” e sistemit. Në rastin e Shqipërisë, edhe pse nuk ka pasur asnjëherë një Amnisti Fiskale të mirëfilltë, rreziku i dëmit moral është shumë i lartë. Për t’u shpjeguar më mirë, në harkun e katër viteve (2008 – 2011) në Shqipëri janë zbatuar tre nisma ligjore të cilat kanë pasur elemente të Amnistisë Fiskale. Më saktësisht, në vitin 2008 u miratua një ligj[4] i cili falte një pjesë të detyrimeve doganore dhe tatimore si dhe sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të papaguara. Më tej, në vitin 2010 u kthye në ligj[5] një nismë e cila lejon shtimin e kapitaleve të shoqërive tregtare nëpërmjet të ardhurave të padeklaruara më parë nga individët. Së fundmi, duke filluar nga prilli i vitit 2011 dhe deri më datё 31 të këtij viti është në fuqi “Amnistia Fiskale”. Sic edhe mund të kuptohet, në një sistem ku evazioni fiskal falet në intervale kaq të shpeshta, “mëkati fiskal” bëhet tundues. Në situatën ekonomike aktuale, ku duhet pranuar, kapitalet janë pakësuar ndjeshëm, tatimpaguesit kanë prirjen të presin “Amnistinë” e rradhës (me shpresën gjithashtu të një përmirësimi të situatës ekonomike), sesa një pjesë të kapitalit ta perdorin për të shlyer “mëkatet” e kaluara.
          Së treti, Ministri i Financave, gjatë procesit miratues në Parlament shprehej se “ndërmarrja e kësaj nisme reflekton gjithashtu edhe kapacitetin që ka tashmë administrata fiskale për një administrim me të mirë ligjor”. Pa analizuar kapacitetet e administratës tonë për administrimin e fiskalitetit (analizë e cila është e nevojshme dhe meriton të trajtohet në një artikull më vehte), shtrohet pyetja se pse do të ishte e nevojshme një “Amnisti” kaq e shtrirë në lëndë dhe kohë, nëse administrata jonë do të kishte arritur kapacitetet e pretenduara. A nuk do të ishte më mirë, qoftë për financat publike, por edhe për efektin shkurajues ndaj evazionit fiskal, që këto kapacitete të përdoreshin për mbledhjen e detyrimeve të papaguara dhe dënimin e “mëkatarëve”? Përtej pretendimeve të sipërpërmendura, në të vërtetë zbatimi i “Amnistisë” nga administrata fiskale, në rastin më të mirë ka qenë i ngadaltë, dhe në rastin më të keq kundërproduktiv. Për të ilustruar sa më sipër, mjafton të përmendet se nga momenti i aprovimit të ligjit, deri në kompletimin e kuadrit nënligjor, kaluan tre muaj. Për më tepër, edhe pse interesi për “Amnistinë” ishte shume më i vogël se ai i pretenduar nga Ministria e Financave, administrata fiskale nuk ka arritur akoma të përpunojë kërkesat për përfitim nga kjo nismë[6].
          Së fundmi, si cdo nismë ligjore komplekse, edhe “Amnistia Fiskale” duhej në rradhë të parë, të konsultohej me grupet e interesuara, dhe në rradhë të dytë të shpjegohej pas miratimit të saj nga Parlamenti nëpërmjet fushatave sensibilizuese dhe publicitare, në mënyrë që tatimpaguesit të ishin të qartë se cfarë pritej prej tyre dhe kush ishin përfitimet reale nga kjo nismë. Por, kjo nismë e madhe u hartua dhe u votua me shumë nxitim. Faktikisht, nga prezantimi i nismës në Parlament deri në votimin e saj kaloi më pak se një muaj. Gjatë këtij muaji propozimet e ndryshme qoftë të grupeve të interesuara por edhe të opozitës u morrën shumë pak parasysh, fenomen i cili solli më pas edhe ndryshimin e “Amnistisë” në një ligj faljeje. Më tej, “Amnistia” pasi u votua, nuk u promovua në mënyrë që prej saj të përfitoheshin sa më shumë te ardhura publike dhe në mënyrë që edhe tatimpaguesit të informoheshin për mekanizmat e saj. Promovimi dhe publiciteti i kësaj nisme që Ministria e Financave e quajti madhore, iu la në dorë rastësisë dhe në rastin më të mirë ajo u trajtua nga media...për të vënë në pah dështimin e saj. Këtë muaj, Ministria e Financave filloi një fushatë publicitare për promovimin e nismës ligjore, fushatë e cila së pari është dizinformuese, pasi i ftonte tatimpaguesit të përfitonin nga Amnistia Fiskale, ndërkohë që sic edhe u tregua më lart, ligji i aprovuar nuk i plotëson kushtet për t’u quajtur i tillë, dhe së dyti është e vonuar në kohë. Është shumë e vështirë, për të mos thënë e pamundur, që fushata publicitare e ndërmarrë nga Ministria e Financave muajin e fundit të ketë ato rezultate (dhe si rrjedhim të arrihen shifrat e shpresuara) të cilat duhet të arriheshin gradualisht gjatë jetës 1 vjeçare të “Amnistisë”.
          Sigurisht, arsyet e mësipërme mund të mos jenë të vetmet që shpjegojnë dështimin e nismës së ndërmarre nga Qeveria shqiptare, madje mund të ketë edhe opinione divergjente (të mirëpritura) të cilat  mund të dalin në mbrojtje të kësaj nisme...apo jo?



[1] Ambrose Bierce, editorialist, gazetar, shkrimtar, satirist.
[2] Për lehtësi komunikimi, në këtë artikull termi “Amnisti Fiskale” do të përdoret për t’ju referuar Ligjit nr. 10418, date 21.04.2011 “Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor dhe doganor”.
[3] Evazioni fiskal dënohet si kundërvajtje administrative me një penalitet të barabartë me 100 % të detyrimit të fshehur dhe si kundërvajtje penale me gjobë ose burgim deri në tre vjet.
[4] Ligji nr. 9986, date 11.09.2008 “Për faljen e detyrimeve doganore dhe tatimore, të detyrimeve të prapambetura të taksës vjetore të qarkullimit rrugor të mjeteve e të taksës së regjistrimit të përvitshëm të mjeteve, si dhe të gjobave e kamatvonesave të papaguara të kontributeve të sigurimeve të detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore”.
[5] Ligji nr. 10228, date 04.02.2010, i cili ndryshon Ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar.
[6] Kërkesat kanë të bëjnë qoftë me faljen e detyrimeve përpara 2008 që teorikisht duhet të bëheshin në mënyrë automatike nga administrata fiskale qoftë edhe për ato pas 2008 për të cilat pagesa e një pjese të detyrimit ishte e nevojshme.




2 comments:

  1. Ju falenderoj per kete artikull shume interesant dhe ju inkurajoj te shkruani shume te tjere. Personalisht, jam shume i lumtur qe po meren keto lloj nismash nga brezi i ri i juristeve shqiptare.

    Me lejoni tju pergezoj gjithashtu per shkrimin e qarte dhe per mendimet tuaja me vlere.

    Une kisha veç nje verejtje te vogel (forme) ne lidhje me termin "moral hazard".

    Mendoj se ky term ekonomik e meriton nje fusnote sepse perkthimi i tij ne "dem moral" nuk eshte i sakte. Ne fakt, "moral hazard" perdoret saktesisht per te pershkruar nje "rrezik effekti pervers/te kundert nga ajo cka pritet". Pra eshte krejt ndryshe nga "demi moral/jomaterial" qe perdoret juridikisht ne kuadrin e te drejtes se detyrimeve.
    Ne tekstin tuaj, perdorimi eshte i duhuri por perkthimi nuk me duket i mire sepse mund te krijoje keqkuptime apo "pa-kuptime" ne idete qe doni te perçoni.

    Ju uroj shume suksese dhe pres me kenqaqesi publikime te reja.

    ReplyDelete
    Replies
    1. Edhe ne të falenderojmë për këtë koment kaq të saktë (mendim personal).

      Delete