07 June 2012

Problematikat e evidentuara nga GJEDNJ lidhur me Shqipërinë






Shkëputur nga Memorandumi i përgatitur nga Departamenti i ekzekutimeve të  vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (DH-HL).



            Një numër vendimesh të Gjykatës Evropiane kundër Shqipërisë kanë nxjerrë në pah një sërë problemesh që kërkojnë zgjidhje urgjente. Rëndësi e veçantë i është kushtuar rasteve që kanë të bëjnë me kthimin dhe kompensimin e pronës. Vendimet kanë të bëjnë me dështimin e autoriteteve shqiptare për të zbatuar vendime gjyqësore të formës së prerë, dhe vendime administrative që njohin të drejtën e ankuesit për kthimin apo kompensimin e pronës.

             Në këto kushte, Gjykata Evropiane, ka vlerësuar të domosdoshme përmbushjen e angazhimeve ndërkombëtare të ndërmarra nga Republika e Shqipërisë nëpërmjet Institucioneve Përgjegjëse të cilat janë pjesë e masave që duhet të ndërmarrë Shteti Shqiptar. Institucionet Përgjegjëse janë :

1. Këshilli i Ministrave;
2. Ministritë, veçanërisht Ministria e Drejtësisë;
3. Agjencia për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave;
4. Zyra për Regjistrimin e Pasurive të Paluajtshme;

5. Drejtoria e Përmbarimit;

6. ALUIZNI


Mangësitë kryesore të hasura nga GJEDNJ në lidhje me pronat.

- Dështimin e autoriteteve, për të hequr të gjitha pengesat për akordimin e kompensimit të dhënë në vend të kthimit në natyrë, sipas ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronës, duke siguruar masat e duhura ligjore, administrative, dhe buxhetore;


- Në rastin Beshiri (aplikimi nr. 7352/03) , Driza (aplikimi nr. 33771/02), Ramadhi (aplikimi nr.38222/02), Gjykata Evropiane ka gjetur shkelje të nenit 6 § 1 dhe nenit 1 të Protokollit Nr.1 të Konventës, për shkak të mosekzekutimit të vendimeve gjyqësore të gjykatave kombëtare që parashikonin kompensimin e pronës, e cila ka qenë shtetëzuar gjatë regjimit komunist.



Inefiçensa e përmbarimit
Në vendimin Bushati (6397/04) trajtohet dështimi i shërbimit përmbarimor për të zbatuar vendimin e Gjykatës së Lartë, i cili konfirmonte njohjen e pjesshme e kërkimeve të ankuesit për pronën dhe që urdhëronte të pushonte cenimi dhe pushtimi i tokës pa titull.


Mungesa e fondeve të ndryshme

Në vendimin Qufaj (54268/00) trajtohet shkelja e së drejtës e një shoqërie ankuese si rezultat i mosekzekutimit të një vendimi gjyqësor të formës së prerë; Gjykata përsëriti se nuk mund të lejohet që një autoritet shtetëror të justifikohet me mungesën e fondeve si një shfajësim për mos respektimin e një borxhi.


Mungesa e një mjeti efektiv

Në rastin Ramadhi, Gjykata Evropiane ka nënvizuar se, Shqipëria, para së gjithash, duhet të parashikojë një mjet juridik ankimimi, i cili të sigurojë një ndreqje efektive duke adresuar shkeljet e Konventës, të identifikuara në këtë gjykim, si dhe në të gjitha aplikimet e ngjashme që janë të varura në shqyrtim e sipër përpara Gjykatës, në përputhje me parimet e mbrojtjes së parashikuara nga neni 6 § 1 dhe 13 të Konventës dhe nga Neni 1 i Protokollit 1.


Efektet e vendimit të Gjykatës Kushtetuese

Në rastin Gjyli (32907/07), Gjykata Evropiane ka vërejtur se vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë qenë deklarative, prandaj Gjykata Kushtetuese nuk ka ofruar ndonjë mjet ndreqje të përshtatshëm. Në veçanti, ajo nuk ka akorduar shpërblim për dëme financiare dhe/ose dëme jofinanciare, si dhe nuk ka ofruar një perspektivë të qartë që të parandalonte shkeljet e mundshme ose vazhdimin e këtyre shkeljeve (shkelje e nenit 13 së bashku me nenin 6 §1).


Heqja e të gjitha pengesave për zbatimin e vendimeve të brendshme përfundimtare që akordojnë kompensim sipas ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave duke siguruar marrjen e masave të duhura ligjore, administrative dhe buxhetore.




No comments:

Post a Comment