Nga Dardan Mustafaj
(Avokat)
Para pak kohësh dhënia e dorëheqjes së një anëtari të Gjykatës kushtetuese, Z. Petrit Plloçi, risolli në vëmendjen mediatike këtë institucion. Kjo dorëheqje, edhe pse e drejtuar Kryetarit të këtij institucioni, arriti shumë shpejt në redaksitë e mediave shqiptare por edhe më shpejt në selitë e partive politike. Qëndrimi i opozitës për këtë ngjarje u shpreh nga Partia Socialiste, si forca më e madhe opozitare shqiptare, nëpërmjet deputetit dhe juristit Fatmir Xhafaj.
Së pari, vlerësoj se kjo deklaratë ishte jo oportune pasi, ndër të tjera, zoti Xhafaj sulmoi drejtpërdrejtë legjitimitetin e Gjykatës Kushtetuese duke e quajtur këtë gjykatë të “paligjshme”. Për të mbështetur këtë sulm ai merr shkas nga kërkesa që Presidenti i Republikës paraqiti përpara Gjykatës Kushtetuese. Me këtë kërkesë kërkohej zgjidhja e konfliktit të kompetencës që, sipas Presidentit, ishte krijuar nga vendimi i Kuvendit për të kthyer dekretet për zëvendësimin e tre anëtarëve të kësaj gjykate. Përmbledhurazi sipas zotit Xhafaj, fakti që dy gjyqtarë (të cilëve u ka mbaruar mandati) kanë votuar për rrëzimin e kësaj kërkese është shenjë e cenimit të standardeve të vendosura nga vetë Gjykata Kushtetuese dhe e bën këtë gjykatë të “paligjshme”.
Z. Xhafaj nuk duhej të bënte një deklaratë të tillë pasi po i adresohej një institucioni i cili nuk mund dhe nuk duhet të mbrohet ndaj akuzave të tilla politike. Gjykata Kushtetuese nuk mund të mbrohet pasi si Gjykatë ajo mund vetëm të shprehet me vendime. Asnjë nga anëtarët e kësaj gjykate, të cilët Z. Xhafaj i përmendi me emër, nuk mund të shkelë detyrën e rezervës që i imponon etika e funksionit të tij. Anëtarët e gjykatës kushtetuese nuk janë as deputetë dhe as nëpunës. Ata janë anëtarë të një institucioni që është garant i kushtetutës dhe për këtë arsye duhet të rrinë sa më larg politikës dhe influencës së saj pasi vendimet e institucionit shpesh shërbejnë si argument në arenën politike. Për këtë arsye, politika duhet të shmang çdo tentativë për të tërhequr këtë institucion në një debat politik. Një Gjykatë Kushtetuese që do të tërhiqej në arenën politike për t’u mbrojtur nga sulme politike është fatale për demokracinë e një vendi sepse rendi kushtetues humbet garantin e tij kryesor. Në këtë optikë sulmet politike ndaj këtij institucioni nuk janë oportune sepse përbëjnë rezik për demokracinë dhe i adresohen dikujt që nuk kthen dot përgjigje.
Së dyti, deklarata e Z. Xhafaj është juridikisht e gabuar për faktin se ai përdor standarde të dyfishta. Një njëri parimor zbaton një standard unik si për situatat që i pelqejnë si për ato që nuk i pelqejnë.
Në Gjykatën Kushtetuese aktualisht janë tre gjyqtarë të cilëve u ka mbaruar mandati. Rezulton se këta të tre kanë marrë pjesë në gjykimin e kërkesës së Presidentit. Në votim dy prej tyre kanë votuar për rrëzimin e kërkesës së presidentit dhe një, Z. Plloçi, ka votuar për pranimin e saj. Sipas deklaratës së zotit Xhafaj pjesëmarrja në votim e zotit Plloçi nuk është problematike dhe duhet përgëzuar. Ndoshta ngaqë qëndrimi i Zotit Plloçi i shkon për shtat. Ndërsa pjesëmarrja e dy gjyqtarëve të tjerë, që nuk votuan sipas dëshirës së zotit Xhafaj, është problematike dhe e bën Gjykatën Kushtetuese të paligjshme. Parimi i paanësisë në gjykim, siç është interpretuar nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, kërkon që secili gjyqtar për të cilin ekziston një shkak njëanshmërie duhet të tërhiqet nga gjykimi i një çështjeje. Meqënëse edhe zotit Plloçi i kishte mbaruar mandati atëherë, nëse ndiqet arsyetimi i zotit Xhafaj, si ai si dy gjyqtarët e tjerë nuk duhej të merrnin pjesë në gjykim pasi të tre ishin në të njëjtën situatë juridike. Zoti Plloçi, meqënëse i kishte mbaruar mandati, kishte po aq arsye sa dy gjyqtarët e tjerë për të qënë i njëanshëm.
Zoti Xhafaj ka qenë ministër drejtësie. Zoti Xhafaj është jurist me eksperiencë dhe e di shumë mirë cilat janë parimet dhe roli i Gjykatës Kushtetuese. Gjykata kushtetuese ka 9 anëtarë të cilët sipas kushtetutës rrinë në detyrë deri sa të zëvëndësohen. Pra, qëndrimi në detyrë i këtyre anëtarëve edhe pasi u ka mbaruar mandati kërkohet shprehimisht nga Kushtetuta. Ky parashikim kushtetues nuk është i rastësishëm. Kushtetubërësi e ka përfshirë një dispozitë të tillë në Kushtetutë për të shmangur si influencën e politikës mbi Gjykatën Kushtetuese si bllokimin e vendimmarrjes së këtij institucioni. Në bazë të Kushtetutës, çdo vendim i Gjykatës Kushtetuese merret me të paktën 5 vota, pra me shumicën e të gjithë anëtarëve.
Në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë pranohet nëse pro saj votojnë të paktën 5 gjyqtarë dhe rrëzohet nëse kundër saj votojnë të paktën 5 gjyqtarë. Meqënëse abstenimi është ligjërisht i ndaluar, kur një çështje gjykohet me 9 anëtarë shumica e 5 anëtarëve arrihet gjithnjë. Kjo shumicë për vendimmarrjen vlen edhe nëse një apo disa gjyqtarë japin dorëheqjen për arsye të ndryshme nga një shqyrtimi i një çeshtjeje. Nëse, fjala vjen, 3 nga 9 gjyqtarë japin dorëheqje atëherë ngelen vetëm 6 gjyqtarë për të gjykuar një çështje. Nga këta 6gjyqtarë kërkohet një shumicë prej 5 votash, siç u shpjegua më sipër, për të marrë një vendim qoftë për pranimin qoftë për rrëzimin e një kërkesë. Nëse, për shkak të këtyre dorëheqjeve ndodh që votat të ndahen, për shembull, në 4 kundër dhe 2 pro atëherë nuk arrihet dot shumica prej 5 votash. Në këtë rast, në zbatim të nenit 74 të ligjit organik të Gjykatës Kushtetuese, kërkesa refuzohet.
“Refuzimi” i kërkesës dallon nga “rrëzimi”. Kur Gjykata Kushtetuese “rrëzon” një kërkesë kjo gjykatë zgjidh përfundimisht çështjen duke u shprehur që pretendimet e kërkesës nuk qëndrojnë. Ndërsa “refuzimi” i kërkesës nënkupton që Gjykata Kushtetuese nuk është në gjendje të shprehet mbi kërkesën pasi nuk arrihet dot shumica e nevojshme për një vendim përfundimtar prandaj kërkuesi duhet ta paraqesë atë përsëri kur të krijohen kushte të reja. Kjo shumicë përbën një garanci kushtetuese thelbësore për individët dhe institucionet. Kërkesa mund të pranohet ose rrëzohet vetëm nëse krijohet bindja tek pesë gjyqtarë me eksperiencë dhjetëra vjeçare se ajo është e bazuar ose jo.
Siç shihet nga shembulli i mësipërm, një situatë ku Gjykata Kushtetuese do të kishte 3 gjyqtarë të dorëhequr dhe 6 gjyqtarë në detyrë është shumë problematike. Ky institucion do të futej në krizë sepse vendimmarrja e tij do të mund të bllokohej nga dy anëtarë të cilët, duke votuar kundër, në praktikë do të kishin një lloj të drejte vetoje. Gjithashtu, do të cenoheshin të drejtat themelore të individëve pasi është shumë më e vështirë të bindësh 5 gjyqtarë mbi 6 sesa të bindësh 5 mbi 9. Gjykata Kushtetuese do të shkonte drejtë një situate ku kërkesat e individëve apo institucioneve do të refuzoheshin për mungesë shumice, duke i lënë këto subjekte në një status quo nga i cili do të prodhohej vetëm padrejtësi, vonesë në mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut, tensionim dhe ngërç.
Një situatë e tillë kishte shumë gjasa të prodhohej në rastin e sipër përmendur të kërkesës së presidentit e cila, pa pjesëmarrjen e gjyqtarëve që zoti Xhafaj sulmoi në deklaratën e tij, nuk do të ishte “rrëzuar” por do të ishte “refuzuar”. Sipas mediave, kjo kërkesë u votua me 6 vota kundër dhe 3 pro. Nëse do të hiqeshin 2 votat kundër të gjyqtarëve që sulmoi zoti Xhafaj dhe vota pro e zotit Plloçi atëherë rezultati do të kishte qenë 4 kundër dhe 2 pro. Siç u tha më lart kjo do të ishte një shumicë e pamjaftueshme për të marrë një vendim dhe kërkesa e Presidentit do të ishte refuzuar pa një vendim përfundimtar, duke krijuar kështu një ngërç në dëm të demokracisë sonë dhe rendit kushtetues. Këto janë disa nga arsyet përse Kushtetuta parashikon që gjyqtarët kushtetues rrinë në detyrë deri sa të zëvëndësohen sepse ky institucion kyç për respektimin e kushtetutës nuk mund të bllokohet nga mosmarrëveshjet politike apo mungesa e konsensusit për ripërtëritjen e tij. Jo vetëm shprehimisht Kushtetuta por edhe fryma kushtetuese kërkojnë që ky institucion të mos ndotet nga politika. Për të gjitha këto arsye çdo tentativë për të tërhequr në arenën politike këtë Gjykatë është jo vetëm anti kushtetuese por edhe cenon të drejtat themelore të individëve dhe institucioneve.
---
1. Shënim i Redaksisë: ky artikull është botuar fillimisht në gazetën "Java" të datës 19 maj 2012 dhe ribotohet tek REAJ me miratimin e autorit. Autori rezervon të gjitha të drejtat mbi tekstin.
No comments:
Post a Comment