18 May 2012

Panoramë e vendimeve të GJEDNJ-së (janar-prill 2012)

Një panoramë konçize e vendimeve të një gjykate çfarëdo, ofron së paku avantazhin e kursimit të kohës që lexuesi do shpenzonte për të lexuar, dekriptuar dhe përmbledhur vendimet në fjalë. Në rast se objekti i panoramës janë vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (“GJEDNJ”) atëherë vlera e shtuar është akoma më e madhe. Karakteristikat e këtyre vendimeve nuk lënë asnjë dyshim për këtë.

Juristi shqiptar që aventurohet mes vendimeve të GJEDNJ-së vëren menjëherë se ato janë të redaktuara në (i) gjuhë të huaj (anglisht dhe/ose frëngjisht – versionet e tjera janë përkthime). Faktet dhe aktet juridike (ii) që palët diskutojnë përpara GJEDNJ-së i përkasin gjithashtu një shteti të huaj (përjashto kur çështja është kundër Shqipërisë). Këtyre cilësive shkurajuese i shtohet shpesh herë edhe gjatësia vendimeve (iii) e cila është një sfidë më tepër për durimin e lexuesit.

Panorama e mëposhtëme tenton të zvogëlojë përmasat e këtyre barrierave mes juristit shqiptar dhe vendimeve të GJEDNJ-sё.


Vendimet e katërmujorit të parë të vitit 2012 që janё zgjedhur e përmbledhur më poshtë kanë tre të përbashkëta që vlejnë të theksohen. Së pari ato sjellin një risi në jurisprudencën e GJEDNJ. Së dyti, natyra e risisë së këtyre vendimeve është e eksportueshme dhe e aplikueshme edhe ndaj anëtarëve të tjerë të Këshillit të Evropës. Së treti, interesi i këtyre vendimeve është konfirmuar edhe nga komentatorët e tjerë të aktualitetit të GJEDNJ-së, të cilët i kanë hapur vend këtyre vendimeve në faqet e publikimeve të tyre.

* * *

Vendimi i Dhomës së Madhe Van Der Heijden vs. Hollandë, Nr. 42857/05:
E drejta “për të mos dëshmuar kundër një anëtari të familjes” që gëzojnë bashkëshortët e martuar dhe partnerët civil të regjistruar, nuk u zbatohet detyrimisht partnerëve bashkëjetues (concubins). Rrjedhimisht dënimi i bashkëjetueses së të akuzuarit për shkak të refuzimit të bashkëpunimit me organet e drejtësisë – nuk cenon të drejtën e respektit të jetës familjare (Neni 8 i KEDNJ). Një rrethanë faktike që vlen të përmendet është se bashkëjetuesja kishte 2 fëmijë me të pandehurin dhe jetonte me të prej mbi 10 vitesh.


Vendimi Sessa vs. Itali, datё 3 prill 2012 nr. 52959/99:
Caktimi i njё seance gjyqёsore nё një datё nё tё cilёn avokati i njёrёs prej palёve (besimtar hebre) nuk mund tё ishte prezent pёr shkak tё detyrimeve fetare - nuk cenon Nenin 9 të KEDNJ-së (liria e besimit dhe e fesë). Ky vendim u mor me 4 vota pro dhe 3 kundër. 

Ushtarakut K. Markin iu dha vetëm një leje 3 mujore në vend të lejes 3 vjeçares që ai kërkoi  dhe që i jepej normalisht ushtarakeve femra
Vendimi i Dhomës së Madhe, Konstantin Markin vs. Rusi, datë 22 mars 2012 nr. 30078/06:

Meshkujt kanë të drejtë të marrin një “leje pas lindjeje” po aq të gjatë sa femrat. Refuzimi për t’i dhënë një mashkulli një “leje pas lindjeje” 3 vjeçare, ndërkohë që një leje e tillë i akordohet sistematikisht femrave, cenon nenin 14 (ndalimi i diskriminimit) në kombinim me nenin 8 (respekti i jetës private dhe familjare) të KEDNJ-së. 


Vendimi i Dhomёs sё Madhe, Sitaropulos etj. vs. Greqi, datё 15 mars 2012 nr. 4202/07:
Mungesa e njё sistemi zgjedhor qё i krijon mundёsinё e votimit, qytetarёve tё njё Shteti anёtar tё KE-sё qё jetojnё jashtё Shtetit nё fjalё - nuk cenon tё drejtёn pёr zgjedhje tё lira (Neni 3 i Protokollit Nr. 1).

Vendimi Austin etj. Vs. Mbretëria a Bashkuar, datë 15 mars 2012 nr. 39692/09, 40713/09 dhe 41008/09:

E ashtuquajtura teknika policore e “ibrikut” (“kettling” në anglisht ) që konsiston në rrethimin e një turme manifestuesish nëpërmjet një “kordoni policor” për t’i ndaluar të thyejnë vitrina dyqanesh dhe për t’i orientuar - nuk cenon nenin 5 të KEDNJ (e drejta për liri dhe siguri).


Vendimi Turizmi Tregtar vs. Francё, datё 16 shkurt 2012 nr. 17814/10:
Refuzimi i Gjykatës së Lartë për të shqyrtuar një pretendim të ri (pra të pa ngritur në apel) të bazuar njëkohësisht në shkaqe ligjore dhe faktike nuk cenon të drejtën për një proces të rregullt ligjor (Nenin 6 të KEDNJ).

Vendimi Harkins dhe Edwards vs. Mbretëria e Bashkuar, datë 17 janar 2012 nr. 9146/07 dhe 32650/07:
Me përjashtim të rastit kur verifikohet një shpërpjestim flagrant mes rëndësisë së shkeljes dhe ndëshkimit, dënimi me burgim të përjetshëm pa mundësi lirije me kusht - nuk cenon në vetvete Nenin 3 të KEDNJ-së (ndalimi i torturës).

Vendimi Fidanci vs. Turqi, datë 17 janar 2012, nr. 17730/07:
Në bazë të nenit 6 të KEDNJ, deklaratat e të pandehurit pa praninë e avokatit mbrojtës (i.e. pranimi i përgjegjësisë penale) gjatë marrjes në pyetje nga policia nuk mund të konsiderohen as (i) si provat e vetme mbi të cilat i pandehuri të dënohet (konfirmim i vendimit Salduz vs. Turqi 27 nëntor 2008, nr. 36391/02) dhe as si (ii) një ndër provat që janë marrë parasysh për të dënuar të pandehurin (risia e këtij vendimi).

R.M

- - -
*Natyrisht që të gjitha vendimet e GJEDNJ-së kanë një rëndësi të pakundërshtueshme. Në pamundësi për t'i përmendur të gjitha, shumë vendime me rëndësi kanë mbetur jashtë kësaj panorame.

No comments:

Post a Comment