10 April 2012

Panoramë e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë (janar-mars 2012).

Nga: Rudi METAJ & Blerta NGUCAJ

         Ndёr vendimet që jepen çdo ditë nga gjykatat shqiptare, ato të Gjykatës Kushtetuese (infraGjK” ose “KGjK” pёr Kolegjin e Gjykatёs Kushtetuese), spikasin për nga cilësia e redaktimit, arsyetimit juridik dhe rëndësisë teorike e praktike.

       Në teori këto cilësi do të mjaftonin për t’i bërë këto vendime ndër më të lexuarat nga juristët. Në realitet numri i konsiderueshëm dhe gjatësia e tyre relative bën që profesionistët e ligjit ta shtyjnë vazhdimisht leximin e tyre duke i varur të gjitha shpresat në ndonjë përmbledhje vjetore (apo më të rrallë akoma) të këtyre vendimeve. Prova mё e mirё pёr kёtё ёshtё pёrsёritja e rregullt e argumentave dhe pretendimeve të pabazuara qё GjK ka rrëzuar më parë e vazhdon të rrëzojë rregullisht.       Është në këtë kontekst që lind domosdoshmëria e një panorame konçize të vendimeve te GjK. Ky artikull do tё tentojё tё kryejё kёtё funksion duke selektuar dhe paraqitur nё mёnyrë tё pёrmbledhur vendimet kryesore (sipas gjykimit tonё) qё ka dhёnё GjK gjatё periudhёs janar-mars 2012 (çdo tremujor do tё jetё objekt i njё artikulli tё posaçёm). Seleksionimi ёshtё kryer jo vetëm ndёrmjet vendimeve por edhe ndёrmjet kёrkesave tё ndryshme brenda vendimeve, duke vënë në dukje vetёm ato pretendime qё kanё gjeneruar njё pёrgjigje “interesante” nga pikёpamja juridike.

         Me fjalё tё tjera qёllimi i kёtij teksti ёshtё tё njohё lexuesin vetëm me thelbin e vendimeve nё fjalё, ndёrsa njohja me detajet e vendimeve dhe të arsyetimit, lihet nё dorёn e gjithsecilit sipas fushёs sё interesit.


         Për të qëndruar konçiz, i rezistuam (jo pa vështirësi) tundimit pёr tё komentuar si tekstin e vendimit ashtu dhe pretendimet e kёrkuesve apo ato (shpesh herё plot fantazi) tё Ministrisë së Drejtësisë.


I. Pranueshmёria e kёrkesave pёrpara GjK: kompetenca, afatet, kushtet.

         Vendimi nr. 3 i KGjK, datë 13.01.2012: Depozitimi dhe gjykimi i një kёrkese “fillestare” pёrpara Gjykatës Kushtetuese qё pretendon antikushtetueshmёrinё e njё vendimi gjyqёsor, nuk e ndërpret apo shtyn afatin dy vjeçar brenda të cilit mund të ngrihet një ankim “i dytë” kundёr tё njёjtit vendim gjyqёsor. Ankimi “i dytë” nuk do të shqyrtohet nëse depozitohet mё vonё se dy vjet nga vendimi gjyqёsor i kontestuar më parë.

          Vendimi nr. 6, datë ­­17.02.2012: Gjykata e Rrethit Gjyqёsor tё Tiranёs kёrkonte nga GjK zgjidhjen e konfliktit qё buronte (sipas Gjykatёs sё Tiranёs) nga kundёrshtimi i ndёrsjelltё i dy rregullave juridike tё barazvlefshme nё hierarkinё e normave (njё vendim unifikues dhe njё ligj). A duhej tё mbizotёronte ligji ndaj vendimit unifikues? Norma mё e re ndaj mё tё hershmes? –Teksti i posaçёm ndaj tekstit tё pёrgjithshёm? Por mbi tё gjitha, a ёshtё kjo çёshtje nё juridiksionin e GjK apo nё juridiksionin e gjykatave tё zakonshme?
          Nё pёrgjigje tё kësaj kёrkese “Gjykata [Kushtetuese] konfirmon qёndrimin e saj se njё çёshtje nuk hyn nё sferёn e kompetencёs sё Gjykatёs [Kushtetuese] nёse paraqet probleme tё veprimit tё ligjit nё kohё apo kёrkon vlerёsime lidhur me vendosjen respektive hierarkike tё normave nё konflikt”.

          Vendimi nr. 12, datë 05.03.2012:
(i) GjK vlerëson se mund të merren në shqyrtim nga kjo gjykatë edhe kërkesat e individëve që pretendojnë cenimin e të drejtës për një gjykim brenda një afati të arsyeshëm, pavarësisht se gjykimi ende nuk ka përfunduar në të gjitha shkallët e gjykimit prej gjykatave të juridiksionit të zakonshëm.
(ii) Njё subjekt legjitimohet tё depozitojё njё ankim pranë GjK me objekt cenimin e të drejtës për një gjykim brenda afatit të arsyeshëm, pavarësisht se ai nuk ka shteruar dhe nuk ka kryer veprimet e mёposhtme:
  • Ankimim në gjykatat e juridiksionit të zakonshëm nëpërmjet një padie të bazuar në Ligjin 8510 datё 15.07.1999 “Pёr pёrgjegjёsinё jashtёkontraktore tё organeve e tё administratёs shtetёrore”, nëpërmjet të cilës të kërkohet nga gjykata e zakonshme që ajo të kompensojë subjektin, për procesin e tejzgjatur që ajo vetë drejtoi (!!!).
  • Ankimim pranё Kёshillit tё Lartё tё Drejtёsisё; dhe
  • Kёrkesa gjatё procesit gjyqёsor në gjykatën e zakonshme pёr zbatim tё drejtpёrdrejtё tё neneve 15/2 dhe 44 tё Kushtetutёs dhe/ose nenit 467/a tё Kodit tё Procedurёs Civile.
Këto vlerësime të GjK vijnë në përgjigje të argumentave të Ministrisë së Drejtësisë (subjekt i interesuar në këtë rast) e cila ka pretenduar se (2) mjetet ligjore të listuara më lart duheshin shteruar nga kërkuesi përpara depozitimit të ankimit pranë GjK (!) dhe se pretendimi i kërkuesit për cenim të së drejtës për një proces brenda afateve të arsyeshme nuk mund të analizohej nga GjK pa mbaruar procesi gjyqësor në gjykatën e zakonshme.


II. Procesi i rregullt ligjor.


A. Ekzekutimi i vendimeve gjyqёsore.

        Vendimi nr. 1, datë 20.01.2012: Konfirmohet (për të disatën herë) se (i) mungesa e fondeve dhe (ii) ristrukturimi i hierarkisё sё brendshme nuk mund të përbëjnë justifikim nga organet shtetërore për të mos respektuar një detyrim financiar apo detyrim pёr të rikthyer në vendin e punës, që rrjedh nga një vendim gjyqësor.
        Gjithashtu, pamundësia për të ekzekutuar një vendim nuk e autorizon përmbaruesin gjyqësor që të pushojë në mënyrë të njëanshme ekzekutimin e vendimit gjyqësor.


B. Procesi penal dhe standartet e procesit tё rregullt ligjor.

         Vendimi nr. 4, datë 10.02.2012: Personi i cili, i akuzuar për një vepër penale pranon përgjegjësine e tij penale dhe kërkon të gjykohet me gjykim të shkurtuar, nuk mund të dënohet për një tjetër vepër penale nga gjykata që ka pranuar gjykimin e shkurtuar, pa i dhënë mundësinë më parë të pandehurit të tërhiqet nga procedurat e shkurtuara. Cenon të drejtën për një proces të rregullt ligjor, gjykata që ndryshon cilësimin juridik të fakteve gjatë gjykimit të shkurtuar duke e akuzuar dhe dënuar të pandehurin për një vepër penale të ndryshme nga ajo që i ishte komunikuar atij fillimisht dhe për të cilën ai kishte zgjedhur gjykimin e shkurtuar.


        Vendimi nr. 8, datё 28.02.2012: Refuzimi i gjykatës shqiptare për të dërguar letërporosi pranë një gjykate të huaj në mënyrë që të verifikohet nëse i pandehuri është dënuar më parë jashtë shtetit për të njëjtat fakte, nuk cenon të drejtën e procesit të rregullt ligjor për sa kohë që i pandehuri nuk ka dhënë asnjë provë fillestare për këtë pretendim*.


         Vendimi nr. 9, 29.02.2012: Vendimi i Gjykatёs sё Lartё cenon tё drejtёn e procesit tё rregullt ligjor dhe rrjedhimisht ёshtё antikushtetues nёse: (i) rekursi nё lidhje me kёtё gjykim nuk i ёshtё njoftuar rregullisht tё pandehurit pёr shkak se ky ndodhej jashtё shtetit, dhe (ii) gjykimi ёshtё zhvilluar pa praninё e avokatit mbrojtёs tё tё pandehurit (qoftё ky i caktuar nga familja me pёlqimin e tё pandehurit, ose i caktuar kryesisht nga Gjykata).


         Vendimi nr. 14, datë 26.03.2012: Pranimi i gjykimit të shkurtuar është atribut si i gjykatave të shkallës së parë ashtu edhe i gjykatave të apelit. Pohimi i Gjykatës së Lartë se “pranimi i gjykimit të shkurtuar është atribut vetëm i gjykatës së shkallës së parë dhe jo i gjykatës së apelit”, cenon të drejtën kushtetuese të ankimit.


         Vendimi nr. 16, datë 27.03.2012:
(i) Analiza e elementëve subjektivё dhe objektivё të një vepre penale duhet të kryhet detyrimisht nga gjykata. Rrjedhimisht, cenon të drejtën për një proces të rregullt ligjor gjykata qё nuk e zhvillon kёtё analizё.

(ii) Arsyetimi i një vendimi penal duhet të jetë personal, pasi “Arsyetimi me analogji, lidhur me një çështje tjetër penale, cenon parimin [sipas të cilit] përgjegjësia penale është individuale”; rrjedhimisht e cenon këtë parim edhe gjykata që dënon një individ për një vepër penale të caktuar, me arsyetimin se pjesëmarrësit e tjerë të ngjarjes u dënuan për tё njёjtёn vepёr penale.

(iii) Në rastin kur Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda ndryshon cilësimin e një vepre penale, figura e re e së cilës nuk hyn më në kompetencat e juridiksionit të krimeve të rënda, ajo mund të vazhdojë shqyrtimin e cështjes.

(iv) “Para se të vendosë mospranimin e rekursit [me arsyetimin se është i paplotë] Gjykata e Lartë duhet të verifikojë nëse sekretaria gjyqësore ka zbatuar detyrimin ligjor për vënien në dijeni të të pandehurit për të plotësuar rekursin”.



C. Tё Ndryshme.

         Vendimi nr. 4 i KGjK, datё 16.01.2012: Shumica e kёrkesave qё shqyrtohen nё Dhomёn e Kёshillimit tё Gjykatёs sё Lartё kalohen pёr shqyrtim nё seancё publike, megjithatё moskalimi pёr shqyrtim nё seancë publike per se, nuk pёrbёn automatikisht shkelje tё standarteve tё procesit tё rregullt ligjor pёr sa kohё qё Dhoma e Kёshillimit nuk merr atributet qё i takojnё seancёs gjyqёsore. Nёse njё shkelje e parimeve themelore tё procesit vjen si pasojё e moskalimit pёr shqyrtim, kjo shkelje duhet tё jetë e verifikueshme dhe e dallueshme nëpërmjet analizës së materialeve të çёshtjes.


-----------------------------------------------------------------------------------------------------------


*Sipas nesh, ky ёshtё i vetmi interpretim i kuptimtё i kёtij vendimi i cili pohon se “nuk rezulton të ketë nisur ndonjë procedim penal në ngarkim të kërkuesit apo ai të jetë dënuar me vendim të formës së prerë [jashtë shtetit] për veprën për të cilën ai është dënuar në shtetin shqiptar”, ndёrkohё qё ishte pikёrisht pёr tё provuar kёtё fakt që kёrkuesi kishte kërkuar dёrgimin e letёrnjoftimit (kërkesë që iu refuzua)!







2 comments: