-Ç’të jenë këto shkrime të “shkujdesura” që premtohen në përshkrimin kësaj reviste? –mund të ketë pyetur veten ndonjëri nga ju... Më poshtë një shembull konkret, pas tij - pak teori!
- - -
Po rrezikoj pak duke pranuar një hobby atipik si ky, gjithsesi më qëllon jorrallë të argëtohem duke kërkuar fjalën “Shqipëri” në katalogjet elektronike të bibliotekave të ndryshme europiane apo amerikane (ju paralajmërova, por fatmirësisht kam edhe hobby të tjerë). Në ditët e sotme kur materialet e bibliotekave janë gjithmonë e më shumë në format elektronik, rezultatet e kërkimit mund të jenë vërtetë mahnitëse për shkak se mund të gjesh si materiale shumë të vjetra, ashtu dhe studime të sapo publikuara mbi temën që të intereson.
Para disa javësh rradha i kishte ardhur Bibliotekës Kombëtare të Francës. Është në arkivin e kësaj biblioteke që “zbulova” dy regjistrime zanore (rreth 1.5 min secili) të dy juristëvë shqiptarë! Regjistrimet janë kryer në Universitetin e Sorbonnës nё vitin 1921. Juristët në fjalë quheshin Stavro Stavri dhe Dhimitër Berati (një nga 40 nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë).
Atyre prej lexuesve që vendosën kufjet për të dëgjuar një kurs të të drejtës civile të vitit 1921, duhet t’u them se do zhgënjehen pak. Interesi i regjistrimeve nuk qëndron tek përmbajtja e tyre aq sa tek data e tyre. Duhet patur parasysh qё jemi nё qershor tё vitit 1921, pra plot 12 vjet pёrpara se “Radio Bari” tё regjistronte dhe transmetonte fjalёt e para nё shqip (1933) dhe 16 vjet nga 28 Nёntori i 1938-ёs kur tironsit e kohёs dёgjuan pёr herё tё parё togfjalëshin “Ju flet [radio] Tirana”. Shkurt, ndёr regjistrimet zanore tё gjuhёs shqipe qё janё zbuluar deri mё sot, ato qё do tё dёgjoni mё poshtё renditen nё vendin e dytё (sipas albanologut Robert Elsie, regjistrimi mё i vjetёr nё shqip mban datёn 4 prill 1914 (!) dhe ёshtё zёri i Mustafa Abdylit, punёtor shqiptar pranё njё pastiçerie nё Hungari, i cili u ftua ne Vjenё nga gjuhёtari austriak Norbert Jokl me qёllim regjistrimin e disa fjalёve nё shqip; shih Robert Elsie, The oldest recording of Albanian, the voice of an Albanian from 1914, [lidhje]).
Për sa i përket përmbajtjes së regjistrimeve, në pamje të parë duket sikur ajo është improvizuar në moment pasi qëllimi kryesor duhet të ketë qenë që biblioteka e Sorbonnës të kishte një gjurmë të gjuhës shqipe. Madje ndonjë lexuesi të pavëmendshëm ndaj kontekstit, regjistrimi i parё mund t’i duket anekdotik (bëhet fjalë për një përrallë!). Për të kuptuar përse Dhimitër Berati (asokohe Sekretar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris) zgjodhi të regjistrojë pikërisht një përrallë, duhet bërë një sforco për të kuptuar e pranuar pa paragjykime kontekstin që ekzistonte 91 vjet më parë, të cilin po mundohem ta përmbledh shkurtimisht më poshtë.
Ne vitin 1881 në Paris botohet një libër i cili fillonte me citatin vijues:
Libri në fjalë titullohej “Përralla Shqiptare” dhe ishte një përmbledhje përrallash dhe këngësh popullore shqiptare të mbledhura dhe përkthyera në frëngjisht nga Auguste Dozon. Në hyrjen e librit autori shprehet se përrallat janë një element i rëndësishëm i letërsisë së çdo populli dhe për mendimin tim kjo vlen akoma më shumë për letërsinë shqiptare të asaj periudhe. E mendoj këtë pasi letërsia shqiptare e kohës (kam parasysh vitet 1850-1920), për shkak të rrethanave historike, ishte e karakterizuar herë nga doza të forta nacionalizmi, herë nga njëra fe e herë nga tjetra nё varёsi tё autorit. Përrallat në të kundërt ishin elementë të letërsisë nga populli-për popullin, pra me më pak doktrinë politike dhe me më shumë thjeshtësi. Është pra në këto përralla që nëpërmjet një analize të hollësishme mund të gjeje elementë të filozofisë së shqiptarëve të zakonshëm, konceptin e tyre për drejtësinë, lumturinë, suksesin etj., ashtu si këto koncepte ishin në atë moment dhe kishin qënë prej kohësh (pak ose aspak të influencuara nga feja e politika), pra jo ashtu siç njëra apo tjetra rrymë politike dëshironte t’i paraqiste apo t’i shndërronte nё atё moment.
Është pra thelbësore të kuptojmë që përrallat në atë periudhe ishin jo vetëm tekste letrare të denja për vëmendje, por ato i kalonin edhe kufijtë e letërsisë duke u konsideruar e analizuar si tekste që bartnin elementë filozofikë.
Në ditët e sotme, emërtimi “përrallë” i rezervohet vetëm historive tërësisht të trilluara, cilësia dalluese e të cilave është karakteri i tyre abra-kadabramentesk. Tregimet dhe romanet shqiptarë janë shumë herë më të përshtatshëm për analizën e cilitdo studiuesi të albanologjisë. Edhe kur përrallat e sotme tentojnë t’i përcjellin lexuesve ndonjë element morali, publiku i tyre përbëhet ekskluzivisht nga femijët.
Në vazhdim të këtij arsyetimi, do të ishte një egocentrizëm historik i pafalshëm nësë do t’i vlerësonim përrallat e 1900-ës me standartet e 2012-ës! E thënë ndryshe, nuk është një anekdotë ajo që Dhimitër Berati ka regjistruar në bibliotekën e Sorbonnës, por një fenomen më se i denjё pёr vёmendje që i përket kulturës shqiptare të kohës.
Gjithashtu, fakti që nuk ka pasur shumë vepra të autorëve shqiptarë të botuara në frëngjisht, me siguri ka influencuar zgjedhjen e kësaj përralle e cila në datën e regjistrimit, falë Auguste Dozon, ishte në duart e lexuesit francez që prej 40 vjetësh.
Pas vlerësimeve mbi hershmërinë e regjistrimit si teknologji dhe pas atyre mbi përmbajtjen e tij, më duket gjithashtu me vend të them dy fjalë për dhuruesin e zërit të regjistrimit të parë: Dhimitër Berati (ose Demetri Beratti siç shkruhej në atë kohë).
“Dhimitër Berati ishte nga Korça. Pasi mori pjesë në shpalljen e pavarësisë në Vlorë, u emërua Sekretar i Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Nga 24 gusht 1913 deri më 1914 ai ishte redaktor i gazetës së përdyjavshme të Vlorës Përlindj’ e Shqipënies e cila si zëri i qeverisë së përkohshme ‘iu kushtua mbrojtjes së të drejtave kombëtare’. Luftën e Parë Botërore, Beratti e kaloi në Bukuresht dhe më pas, nga 1912 deri më 1921, shërbeu si sekretar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Kur ishte në Francë ai botoi në anglisht librin me 69 faqe Albania and Albanians (Shqipëria dhe Shqiptarët), Paris 1920 dhe një libër të ngjashëm në frëngjisht me titull La question Albanaise (Çështja shqiptare), Paris 1920, me qëllim njohjen e çështjes shqiptare. Më 1934 u kthye në Ministrinë e Jashtme ku shërbeu si anëtar i Komisionit Ndërkombëtar të Kufijve. [...] Më 1934 u emërua ministër i Ekonomisë. Nga dhjetori 1941 deri në janar 1943, gjatë pushtimit ishte ministër i Arsimit. Pas lufte Beratti shkoi në Itali ku ndërroi jetë më 1970, në një aksident rrugor” (Robert Elsie, Fjalor Historik i Shqipërisë, përkth. Eva Bani, Uegen, 2011, f. 116).
Mund t’i rivendosni kufjet:
Në dokumentin shoqёrues tё diskut lexohet: “Më 8 Qershor 1921, z. Beratti Demetri, shqiptar (nga Koritza)[kupto: Korça], lexoi një përrallë popullore shqipe [të titulluar] Këndesi që pillte flori (Dozon)”. Në fund të këtij paragrafi dallohet edhe nënshkrimi i Dhimitër Beratit.
Për sa i përket regjistrimit të dytë, bëhet fjalë për një letër që studenti shqiptar Stavro Stavri ka shkruar për familjarët e tij në Kavajë (lexuar nga po ky):
Në dokumentin shoqёrues lexohet: “Më 8 Qershor 1921, z. Stavri Stavro, shqiptar, lexoi kopjen e një letre drejtuar një miku, e cila përmban edhe disa vargje [ më poshtë: nënshkrimi i Stavri Stavros]”.
Një tjetër letër informuese që shoqëron pllakën e gramafonit, na përsërit se regjistruesi quhet Stavri Stavro, i seksit mashkull, 35 vjeç, me profesion student, lindur dhe banues në Kavajë, i cili ka studiuar më parë në Manastir, Selanik dhe Paris. Më tej shënohet edhe njëherë se gjuha e regjistrimit është shqipja ndërsa dialekti është “veri-qëndror” (centre-nord). Një vesh i vëmendshëm nuk mund të mos vërejë gërshetimin kurioz të dialektit të Shqipërisë së mesme me atë jugor në ligjëratën e Stavro Stavrit. Një shpjegim i mundshëm për këtë gërshetim mund të jetë fakti që ai ishte me origjinë nga Kavaja por kishte studiuar e kaluar një periudhë kohe edhe në Selanik (siç na informon kopertina e pllakës së gramafonit).
Nga një kërkim i shpejtë që munda të bëj mësova se Stavro Stavri kishte qënë në vitet në vazhdim ambasador i Shqipërisë në Jugosllavi (1925) dhe më pas në Greqi (1926-1928). Detyra e tij si ambasador në Greqi përkoi me periudhën e “shpronësimeve” të shqiptarëve që zotëronin pasuri të patundshme në shtetin helen.
Nje pjesë të mirë të korrespondencës që Stavri Stavro ka shkëmbyer më autoritete apo njerëz të ndryshëm në lidhje me këtë temë, mund ta gjeni në një artikull të Olimbi Velaj në gazeten Metropol në vitin 2006 (lidhjen origjinale s’e gjeta por mund ta konsultoni këtu). Pas këtyre viteve nuk arrita të gjej asnjë informacion tjetër për të.
- - -
Qёllimi i parё i kёtij teksti ishte t’i jepte vёmendjen e merituar kёtyre regjistrimeve qё personalisht me duken interesante. Qёllimi i dytё ishte prezantimi i lexuesve e kontributorёve tё mundshёm me llojin, formalizmin e pёrmbajtjen e teksteve qё do tё gjejnё vend nё kёtё blog.
Kёshtu pra, lexuesi nuk duhet tё habitet nga shkrimet ndёrdisiplinore (por gjithsesi me tё paktёn njё element juridik) qё do tё publikohen nё kёtё blog nga pёrkthyes, sociologё, historianё, antropolgё, ekonomistё, regjizorё, arkitektё, sportistё etj. Nё fund tё fundit aktualiteti juridik ёshtё gjithmonё i pёrzier me tё paktёn nje disiplinё tjetёr qoftё kjo ekonomike, sociale, kulturore etj. Nuk shoh pra asnjё arsye pёrse trajtimi i aktualiteti juridik duhet tё jetё ekskluzivitet i juristёve ndёrkohё qё ligji, vendimet gjyqёsore dhe tekstet normative nё pёrgjithёsi gёrshetohen domosdoshmёrisht me tё paktёn njё disiplinё tjetёr.
Pas kёtij sqarimi mbi konceptin ndёrdisiplinor tё asaj çfarё do tё konsiderohet “juridike” nё kёtё blog, mё duket me vend edhe njё vёrejtje mbi nocionin e “aktualitetit”. Patjetёr qё boshti kryesor i kёtij blogu do tё jetё aktualiteti juridik nё kuptimin e ngushtё tё fjalёs. Megjithatё siç kuptohet edhe nga vetё ky tekst, njё ngjarje a regjistrim qё ёshtё kryer 91 vjet mё parё mund tё bёhet lehtёsisht pjesё e aktualitetit nёse zbulohet vetёm sot. Mё pёrgjithësisht akoma, asnjё pёrsiatjeje me karakter juridik nuk do t’i refuzohet vёmendja dhe publikimi nё kёtё blog vetёm pёr shkakun se nuk ka njё lidhje mjaftueshmёrisht tё fortё me aktualitetin.
Pra, pёr sa kohё njё tekst ёshtё origjinal dhe potencialisht interesant nё sytё e njё juristi, ёshtё detyrё e konceptit të “aktualitetit juridik” tё zgjerohet aq sa tё pёrfshijё tekstin nё fjalё dhe jo e kundёrta.
Duke pasur parasysh tekstet qё do tё vijojnё m’u duk me vend tё sqaroja sa mё sipёr.
Ashtu si dhe herët e tjera, çdo sugjerim apo reagim do tё jetё i mirёpritur. Megjithatë në ndryshim nga herët e tjera, këtë rradhë jemi të gjithë të vetëdijshëm se (sikurse regjistrimi i dy kolegёve më lart) gjurmët tona mund tё lexohen a studiohen edhe 91 vjet pas publikimit tё tyre.
R.M
Nje artikull shume interesant, qe per me teper ushqen ate pak krenari qe na ka mbetur.
ReplyDeleteMë vjen mirë që të pëlqeu An.
DeleteFaktikisht këta dy burra që degjohen me lart kanë bërë shumë për Shqipërinë (doktoratura, publikime, korrespondenca) por s'mund të hyja shumë në detaje se do të zgjatej shumë artikulli. Ndoshta kur të publikoj një version të rishikuar të tekstit do shtoj më shumë detaje mbi veprimtarinë e tyre.
Ndërkohë, kam harruar të vendos burimin e regjistrimeve: http://gallica.bnf.fr/ark:/12148/bpt6k1290598 Në këtë lidhje pamjet janë me përmasa dhe rezolucion të lartë.
Flm.,
R.
Duke ju referuar fillimit te artikullit tuaj, ju them se nuk rrezikoni aspak duke patur nje hobby si ky. Vazhdoni te ndani me ne (juriste dhe jo) gjetjet tuaja. Pergezime per blogun.
ReplyDeleteFaleminderit Gjergji. Na vizito here pas here, kam besim se nuk do zhgenjehesh.
DeleteKy eshte nje zbulim teper interesant, jo vetem per shkak te moshes se incizimit, por edhe per faktin se bie fjala per nje personalitet te njohur historik, Dhimiter Berati. Ju pergezoj per kete zbulim te madh. - dhe te mos jete zbulimi i fundit!
ReplyDeleteme nderime
Robert Elsie
Pershendetje Robert,
DeleteFaleminderit per komentin. Do t'ju dergoj regjistrimet shume shpejt qe te keni mundesi t'i vendosni ne faqen e internetit qe i keni dedikuar gjuhes shqipe.
Perzemersisht,
R.