15 June 2012

Recension 1 : Revista “Avokatia”, Nr.2 (1), Tiranë, Prill 2012.



Zbrazëtia e lënë nga revistat “e njohura” juridike gjatë vitit të fundit*, është mbushur disi nga publikimi i një reviste të re juridike që është revista “Avokatia”. Në këto kushte, qoftë dhe vetëm vetëm printimi i kësaj reviste është një vlerë e shtuar në vetvete, vlerë kjo që shumëfishohet nga cilësia e artikujve që ky publikim i sjell lexuesve.

Numri i parë i kësaj reviste u publikua në janar 2012, por (me gjasë pikërisht sepse ishte numri i parë) nuk gjendet lehtësisht në libraritë e Tiranës. Numri i dytë në të kundërt (publikuar në prill 2012) ndodhet pothuajse në çdo librari.


Përkundrejt çmimit prej 400 Lekësh lexuesi do të ketë mundësi të njihet me 15 artikujt e publikuar nga ky botim i përtremuajshëm: 

1. Editorial: Arsimi vazhdues ligjor për avokatët dhe asistent-avokatët, nga John Carvier.

Në këtë editorial John Carver na njeh me projektin e DhKA për ta bërë arsimin e vazhdueshëm ligjor të detyrueshëm për avokatët dhe asistentë-avokatët.

Besoj se pakkush do jetë kundër kësaj ideje në parim. Katër apo pesë vitet e fakultetit juridik ofrojnë vetëm dijet bazike dhe njohja me risitë jo vetëm juridike por edhe ekonomike sociale etj. është një domosdoshmëri për juristin e vitit 2012. Duke parë debatin dhe informacionin e munguar që ka shoqëruar ndryshimet e fundit lidhur me profesionin e avokatit, unë do të uroja që të paktën modalitetet e kësaj risie të mos imponohen por të diskutohen paraprakisht.

2. Dokumente: Karta e Parimeve Themelore të Profesionit Ligjor Europian.

Siç e thotë qartë edhe titulli, ky tekst paraqet një përshkrim abstrakt të disa prej parimeve që duhet të udhëheqin ushtrimin e profesionit të avokatit europian.

Nga pikëpamja e termimologjisë juridike, bie në sy përdorimi i një përkufizimi të ri që është "Bari i Avokatëve". Personalisht më duket se termat e përdorur deri më sot si Dhoma e Avokatisë apo Oda e Avokatisë (Kosovë) e përmbushin më së miri funksionin e tyre.

3. Kushtetutshmëri: Legjitimimi i jo më pak se një të pestës së deputetëve përpara Gjykatës Kushtetuese, nga Av. Msc. Vilma Hasneziri.

Tema e trajtuar nga ky artikull është e një aktualiteti tepër delikat i cili është përzier edhe me elementë politikë (shih Gazeten Tema,"Gjykatësi Zaganjori ka votuar kundër pedagogut Zaganjori", 30 maj 2012). Autorja e pranon që në fillim që një temë e tillë nuk mund të shterohet në një artikull të vetëm. Pikërisht sepse është vështirë të shterosh një temë të tillë në një artikull, ky i fundit do të fitontë shumë në cilësi, nëse do t’i ishte dhënë më pak vëmendje elementëve të përgjithshme që nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me temën dhe më shumë hapësirë elementëve që lidhen drejtpërdrejtë me të (Ç’është legjitimimi dhe ç’funksion kryen ai? Quid mbi pozicion e sistemeve të tjera (veçanërisht jurisprudencës gjermane) mbi temën? etj.)

Pavarësisht këtyre mungesave të vogla artikulli është interesant dhe i pasur me referenca.

4. Penale: Gjykimi i shkurtuar dhe problemet gjatë zbatimit të tij në praktikë, nga Av. Prof. as. Dr. Maksim R. Haxhia.

Titulli është edhe njëherë është mjaft informues. Një vëmendje e veçantë i kushtohet idesë sipas të cilës e drejta për gjykim të shkurtuar lind dhe përfundon në momentin kur i pandehuri njihet me akuzat dhe aktet e dosjes - çfarë do të thotë që (i) kërkesa për gjykim të shkurtuar nuk mund të refuzohet nga gjykata me arsyetimin se ajo duhet të ishte paraqitur më parë dhe që (ii) kjo kërkesë nuk mund të bëhet më vonë se momenti kur i pandehuri njihet me akuzën dhe përmbajtjen e akteve kundër tij. Autori cek gjithashtu aspekte të tjera të gjykimit të shkurtuar dhe e argumenton qëndrimin e tij kritik ose përkrahës ndaj këtyre aspekteve duke cituar jurisprudencën përkatëse.

5.Penale: Burgimi i padrejtë dhe dëmshpërbilimi ndaj tij, nga Av. Dr. Enida N. Bozheku.

6. Opinion: Mbi domosdoshmërinë e hartimit të një Kodi Penal të ri, nga Av. Dr. Fehmi Abdiu.

Ky tekst i propozon lexuesit një panoramë të të gjithë ndryshimeve kryesore që ka pësuar Kodi Penal i RSh-së. Duke patur parasysh rëndësinë e këtyre ndryshimeve autori shtron idenë se është një Kod i Ri penal që i duhet sistemit juridik Shqiptar - dhe jo një varg arrnimesh ndaj Kodit të vjetër.

7. Forensic Sciences: Disa çështje mbi të vërtetën në thëniet e të pyeturit, Prof. as. Dr. Luan Veliqoti.

8. Administrative: E drejta për t’u ankuar në Shërbimin Civil dhe efektet e saj, nga Dr.Eralda Çani (Methasani).

9. Civile: Instituti i trashëgimisë në spektrin e vendimeve unifikuese të Gjyakatës së Lartë, Dr. Juliana Latifi.

Artikulli mjaft konçiz i Dr. Juliana Latifit pasqyron qëndrimin e juristëve shqiptarë (ligjvënës, gjyqtarë e profesorë) kundrejt aspekteve kryesore të trashëgimisë qe nga vitet 1950 deri ne vitet 2000. Përveç referencave të shumta ndaj të drejtës shqiptare, analiza është e pasur me elementë të studimeve juridike krahasuese. Prezantimi i bashkëveprimit të trashëgimisë me problematikat e pronësisë është gjithashtu një përbërës interesant i këtij teksti.

10. Business Law: Autorësia dhe pronësia e veprave që vendosen në vende publike, nga Prof. Dr. Mariana Semini – Tutulani.

Prof. Dr. Mariana Semini – Tutulani ofron nëpërmjet këtij artikulli një ekspoze mjaft interesante të çështjeve që lidhen me pronësinë intelektuale të veprave që janë "në sferën publike" (public domain). Edhe ky tekst është mjaft i pasur me elemente të studimeve juridike krahasuese dhe i servir lexuesit një gërshetim vërejtjesh praktike dhe abstrakte mbi temën.

11. Harmonizime: Zhvillimi i së drejtës private europiane dhe problemet lidhur me një kuadër të përbashkët për referim (CFR), nga Av. Msc. Gerta Mehmeti.

12. Horizonte: Respektimi i të drejtave te njeriut në juridiksionin e Bashkimit Europian, nga Msc. Aleks Prifti.

13. Nga Arkivat: Kërkesat e Komitetit shqiptar të Helsinkit në Gjykatën Kushtetuese, nga Niazi Jaho.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit ("KShH") është një OJF që ka për qëllim mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Një nga mënyrat se si kjo OJF e realizon qëllimin e saj është analizimi i vëmendshëm i ligjeve dhe ankimimi i tyre përpara Gjykatës Kushtetuese për të verifikuar kushtetutshmërinë e tyre.

Artikulli i konstitucionalistit Niazi Jaho ofron një prezantim të kërkesave të KShH përpara Gjykatës Kushtetuese dhe rezultatit të tyre. Përveç njohjes me arsyetimet juridike mjaft cilësore të kërkesave në fjalë, lexuesi do të mund të konstatojë gjithashtu rolin e rëndësishëm që ka luajtur KShH në skenën juridike shqiptare.

14. Etimologji: Fjalor Shpjegues, nga Vladimir F. Molla.

Kjo rubrikë merr përsipër (me sukses) t’i shpjegojë lexuesit një seri përkufizimesh juridike. Në këtë numër të revistës theksi është vendosur tek llojet e ndryshme të padisë.

15. Humor & Satirë: Përsiatjet e Kalamandreit, nga Henrik Ligori.

Piero Calamandrei (1889-1956) është një jurist italian mjaft i famshëm për veprat e tij juridike dhe politike. Përsiatjet në fjalë, janë refleksione në rradhë parë të një njeriu e më pas të një juristi – të cilat paraqiten të stolisura me nota humori. Personalisht më duket një ide e shkëlqyer që tekste të tilla të gjejnë vend në këtë revistë. 

Numri i ardhshëm i Revistës Avokatia do të botohet në korrik 2012.

 ---

* Në libraritë e zonës së “bllokut” të cilat i konsultoj rregullisht, nuk ka asnjë gjurmë të revistave Jeta Juridike dhe Studime Juridike. Numri i fundit i revistës Ius & Justicia është i vitit 2010 ndërsa numri (85) i fundit i Tribunës Juridike është publikuar në mars 2011! Revista e vetme që duket se botohet me njëfarë rregullsie është Revista Shqiptare për Studime Ligjore (çdo gjashtë muaj). 

4 comments:

  1. (ne lidhje me footnoten)

    Ne fakt "Jeta Juridike" botohet, thjesht nuk shperndahet neper librari... Duhet kontrolluar tek Biblioteka Kombetare nese gjendet aty. Tek biblioteka magjistratures mesiguri gjendet!

    ReplyDelete
  2. Revista Jeta Juridike blihet te shkolla e magjistratures Tirane, atje mund te abonohesh edhe ta marresh nepermjet postes.

    ReplyDelete
  3. tolisMalki Deejayhittman Blandin download
    peckapalec

    ReplyDelete