25 July 2012

Panoramë e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë (prill-qershor 2012)

Nga Rudi METAJ dhe Blerta NGUCAJ
Avokatë

Kjo përmbledhje e vendimeve të marra nga Gjykata Kushtetuese (“GjK”) gjatë tre-mujorit të dytë të vitit 2012, është një vazhdim natyral i panoramës që kishte objekt muajt janar-mars (shih R.Metaj, B.Ngucaj, R.E.A.J, “Panoramë e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë (janar-mars 2012)”, prill, 2012).

Sikurse herën e parë, kjo panoramë duhet kuptuar si një mjet që ndihmon lexuesin t’i japë prioritet konsultimit të disa vendimeve përpara disa të tjerëve dhe nuk e liron juristin nga detyrimi për të lexuar me vëmendje vendimet në fjalë (apo edhe të tjerët që nuk përmenden më poshtë).

Pavarësisht kufizimit të mësipërm, kemi bindjen se përmbledhja e mëposhtme do të jetë mjaft e dobishme për të aktualizuar njohuritë e lexuesit, të cilit po mundohemi t’i ofrojmë një përmbledhje konçize por të plotë të risive që sjell çdo vendim i GjK - dhe jo një copy/paste të thatë të dispozitivit të vendimeve.

Si gjithmonë, komentet janë të mirëseardhura.


Lexim të mbarë.
- - -
Vendimi nr. 18, datë 02.04.2012:

Nuk e cenon paanshmërinë e një gjyqtari gjatë procesit penal, pjesëmarrja e tij në një procedure të mëparëshme me objekt vendosjen e masës së sigurisë ndaj të pandehurit, në rast se procedura e parë është ndërprerë përpara se gjyqtari të shprehej me vendim.

Në Gjykatën e Lartë, nuk është e domosdoshme prania e mbrojtësit të të pandehurit gjatë shqyrtimit të rekursit në rast se (i) rekursi është paraqitur nga ky i fundit (pra jo nga prokurori) dhe nëse (ii) të gjitha argumentat ligjorë janë parashtruar në rekursin e depozituar pranë gjykatës.

Në rastin e kundërt (kur rekursi është paraqitur nga prokurori), prania e të pandehurit ose përfaqësuesit të tij është e detyrueshme.

Vendimi nr. 21, datë 16.04.2012:

Refuzimi i Gjykatës së Apelit për të shqyrtuar ankimin e të pandehurit ndaj vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë (kjo e fundit kishte rrëzuar kërkesën për gjykim të shkurtuar), përbën shkelje të së drejtës kushtetuese të aksesit në gjykatë.

Çdo vendim gjyqësor mund t’i nënshtrohet kontrollit juridiksional të një gjykate më të lartë.

Vendimi nr. 24, datë 30.04.2012:

GjK rikonfirmon edhe njëherë se gjykimi i shkurtuar është një gjykim i veçantë, me anë të të cilit i pandehuri heq dorë me vetëdije nga disa elemente të rëndësishëm të procesit të rregullt ligjor. Rjedhimisht i pandehuri që ka pranuar një gjykim të tillë duhet të vendoset në dijeni për çdo ndryshim në cilësimin juridik të veprës penale që shkon në disfavor të pozitës së tij si edhe t’i jepet edhe një herë mundësia ta kërkojë ose jo gjykimin e shkurtuar.

Vendimi nr. 34, datë 28.05.2012:

Mbrojtja sociale e personave të paaftë realizohet përmes dy mekanizmave që dallojnë nga njëra-tjetra: (1)"të drejtat sociale" nga (2) "objektivat sociale".

(1) Të drejtat sociale parashikohen në kreun IV të Kushtetutës dhe janë të drejta pozitive në lidhje me të cilat shteti ka një detyrim aktiv për t'ua garantuar qytetarëve (ndër të tjera: e drejta për të patur sigurime shoqërore në pleqëri, e drejta për të gëzuar shërbim shëndetësor nga shteti etj.).
(2) Objektivat sociale (neni 59 i K.) nga ana tjetër janë shprehje e qëllimeve të Shtetit, realizimi i të cilave varet nga kushtet dhe mundësitë buxhetore të Shtetit.
Përmbushja e objektivave sociale nuk përfshihet në rrethin e çështjeve që i përkasin juridiksionit kushtetues.

Vendimi nr. 31 datë 17.05.2012:

Interpretimi sipas të cilit – në procedurën penale gjykata e shkallës së parë është në çdo rast gjykata kompetente për shqyrtimin e kërkesës për rivendosje në afat - është keqinterpretim i nenit 147 të Kodit të Procedurës Penale ("KPP").

Nëse një palë në gjykim dëshiron të ankimojë vendimin e gjykatës së shkallës së parë në lidhje me kërkesën për rivendosje në afat, gjykata kompetente për ankimin do të jetë gjykata e apelit. Nëse i gjykuari dëshiron të ankimojë vendimin e gjykatës së apelit atëhere gjykata kompetente do të jetë Gjykata e Lartë.
Togfjalëshi "në gjykatën e apelit" i nenit 147 (pika 6) të KPP bie ndesh me nenin 42/2 dhe 135 të Kushtetutës dhe rrjedhimisht shfuqizohet.

Vendimi Nr. 28 datë 09.05.2012:

Për t'u regjistruar si kandidat për kryetar bashkie apo komune, një subjekt zgjedhor (kandidat) duhet të provojë se ai ka mbështetjen e të paktën 1% të zgjedhësve të zonës zgjedhore (pika 3 e nenit 70 të Kodit Zgjedhor). Përjashtohen (përjashtoheshin) nga ky detyrim (i) kandidatët e partive politike për kryetar të njësisë të qeverisjes vendore apo listat shumëmërore të partive për këshillat vendorë, nëse të paktën një anëtar i partisë përkatëse zotëron një mandat në Kuvend ose në këshillin, për të cilin partia politike kandidon në zgjedhje (pika 4 e nenit 70 të Kodit Zgjedhor) si dhe (ii) kandidatët e partive që kanë një mandat në Kuvend apo në këshillin për të cilin ato kandidojnë (pika 6 e nenit 70 të Kodit Zgjedhor).

Këto dy përjashtime nga pika 3 e nenit 70 të Kodit Zgjedhor, nuk justifikohen me ndonjë interes publik dhe për pasojë janë joproporcionale. Rrjedhimisht pika 4 dhe 6 e nenit 70 të Kodit Zgjedhor të cilat parashikojnë këto përjashtime shfuqizohen pasi janë të papajtueshme me Kushtetutën.


Vendim nr. 27 datë 09.05.2012:

Në përfundim të një procedure të zhvilluar pa praninë e Prokurorisë, ku Gjykata e Lartë vepronte si juridiksion fillestar, kjo gjykatë kishte vendosur "mosfillimin e procedimit penal".

Sipas GjK vendimi për mosfillimin e procedimit penal është kompetencë ekskluzive e organit të prokurorisë. Gjykata e Lartë, nëse vlerëson mungesën e kritereve ligjore për procedim, nuk mund të shprehet me vendim për mosfillimin e procedimit penal, por duhet të bazohet në dispozitat që i janë njohur asaj gjatë fazës së gjykimit (pushimin e gjykimit, pafajësi ose fajësi të të akuzuarit). Duke marrë një vendim të tillë, për mosfillimin e procedimit penal, Gjykata e Lartë i ka atribuar vetes një kompetencë, e cila jo vetëm që nuk i njihet nga ligji, por që njëkohësisht i ka cenuar edhe pozicionin e saj si organ që realizon me paanshmëri dhënien e drejtësisë.

Gjithashtu, nga dosja gjyqësore rezultoi se Gjykata e Lartë nuk e kishte njoftuar Prokurorinë për zhvillimin e gjykimit; pra nuk i kishte krijuar këtij organi mundësinë e pjesëmarrjes në gjykim. GjK vlerëson se mungesa e prokurorit në gjykim, në procesin e vënë në lëvizje nga i dëmtuari akuzues, passjell pavlefshmërinë absolute të procesit.


Vendimi nr. 25 datë 08.05.2012:

Kur një grup deputetësh vë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese për zgjidhjen e konfliktit të kompetencave, duhet që (i) ai të pretendojë se atij i është cenuar një kompetencë e caktuar, gjithashtu, ai duhet të parashtrojë se midis (ii) cilave organe ekziston konflikti, (iii) cila është kompetenca që ushtrohet nga organi tjetër dhe (iv) në ç’mënyrë pengohet ushtrimi i saj ose në ç’mënyrë një organ e ushtron pa të drejtë një kompetencë.
Nëse këto elemente nuk arrijnë të identifikohen nga GjK në kërkesën e parashtruar përpara asaj, ajo nuk mund të arrijë në një analizë dhe përfundim të qartë se cilit organ i takon të ushtrojë cilën kompetencë

Vendim Nr. 36, datë 5.6.2012:

Nuk ekziston asnjë prezumim se avokati i një pale ndërgjyqëse në shkallë të parë, ka tagra për të përfaqësuar të njëjtën palë në gjykatën e apelit. Rrjedhimisht avokati duhet të jetë i pajisur me një prokurë të rregullt në datën e nënshkrimit të kërkesës për apel; kjo e metë nuk mund të korrigjohet në një moment të dytë.

3 comments: