Përktheu nga anglishtja Maki Metaj
Recensioni i një libri të ndihmon të kuptosh jo vetëm për çfarë flet një libër i caktuar, por edhe se sa i suksesshëm është ky i fundit në qëllimin e tij. Zakonisht, profesorët caktojnë një detyrë të tillë për të zhvilluar aftësitë e leximit të kujdesshëm dhe analizues tek studentët.
Recensionisti sjell në të njëjtën kohë - një lexim analitik dhe të detajuar, dhe nga ana tjetër një replikë individuale me anë të së cilës shpjegon tek lexuesi kuptimin e një teksti (duke shpjeguar pereptimin personal). Me fjalë të tjera mund të themi se recensioni i një libri i përgjigjet jo vetëm pyetjes «pse?» por gjithashtu pyetjes «dhe pastaj?». Në këtë mënyrë, gjatë shkrimit të një recensioni kombinohen aftësi të ndryshme, si ajo e të përshkruarit të librit, aftësia e analizimit të tekstit për të kuptuar nëse libri ka përçuar mesazhin që kërkonte të përcillte dhe aftësia për të shprehur reagimin tuaj personal.
- Leximi i librit.
Gjatë leximit të librit ose parapërgatitjeve për të shkruar një recension, duhen shtruar disa pyetje: Cilat janë pikëpamjet dhe qëllimi i autorit? A janë ato të sakta/përshtatshme?
Pikëpamjet apo qëllimet e autorit mund të jenë të nënkuptuara e jo të pohuara haptazi, dhe shpesh herë vendi më i mirë për të gjetur se çfarë thotë autori për pikëpamjet dhe qëllimet e tij është parathënia apo hyrja e librit.
Cilat janë përfundimet kryesore të autorit? Edhe njëherë, këto çështje mund të gjenden tek hyrja apo parathënia e librit. Cfarë provash përdor autori për të vërtetuar përfundimet e tij? A janë këto prova bindëse? Pse - ose pse jo? A arrin të mbështesi autori idetë e tij në mënyrë të përshtatshme?
Cfarë marrëdhënieje krijon libri me librat e tjerë mbi të njëjtën temë? A është libri unik në probematikat që trajton? A shton ai informacion të ri? Cilën kategori lexuesish tërheq më tepër libri (nëse tërheq)?
A zotëron autori njohuri të mjaftueshme për të shkruar librin? Cfarë kualifikimi apo background-i ka autori për të shkruar librin? A ka shkruar autori libra të tjerë mbi këtë temë? A konsiderohet ai si ekspert i fushës nga profesionistët e tjerë të disiplinës? Cilat janë kriteret më të përshtatshme mbi të cilat duhet vlerësuar libri? Sa i suksesshëm është autori në përmbushjen e qëllimit të tij?
Në varësi të qëllimeve të librit, është e nevojshme të seleksionohen kriteret e përshtatshme në bazë të të cilave do të vlerësohet suksesi i librit. Në mungesë të kritereve të posaçme të këshilluara nga instruktori, ja disa kritere që mund të merren parasysh:
Nëse autori i librit thotë se qëllimi i tij është të mbrojë zgjidhjen e një problemi me interes publik, atëherë recensioni duhet të qartësojë nëse autori e ka përkufizuar problemin dhe shkaqet e tij, nëse ka plan veprimi, nëse ka ofruar informacione të mëtejshme apo nëse ka propozuar zgjidhje specifike. Recensioni duhet gjithashtu të nxjerrë në pah eksperiencën profesionale të autorit.
Megjithatë, në disa lloje të tjera librash autorët diskutojnë teoritë e tyre mbi fenomene të caktuar. Recensioni i një kategorie të tillë librash, duhet të vlerësojë natyrën e teorisë që autori parashtron, çfarë provash përdor autori për të mbështetur pretendimet e tij shkollare, sa të vlefshme janë këto prova, sa ekspert është autori në këtë fushë si dhe kontributin e librit mbi fushën objekt debati.
- Shkrimi i recensionit.
Recensionet e librave, përfshijnë përgjithësisht këto lloj informacionesh (kini parasysh që mund të jetë e nevojshme të shtohen elementë të tjerë, për të qartësuar vlerësimin mbi librin):
Pjesa më e madhe e recensioneve fillojnë me një «ballinë» që përfshin të gjitha informacionet bibliografike mbi librin. Një mënyrë për t’i paraqitur këto infomacione është:
Titulli. Autori. Vendi i botimit : botuesi , data e botimit, numri i faqeve.
Ashtu si shumica e shkrimeve të tjera, recensioni gjithashtu fillon me një hyrje që njeh lexuesin me atë që do të thuhet në recension.
Paragrafi i parë zakonisht ripërsërit informacione mbi autorin dhe titullin. Duhet përfshirë gjithashtu në këtë paragraf një përmbledhje e shkurtër e përmbajtjes së librit, qëllimin e tij, audiencës së cilës i drejtohet dhe sigurisht reagimin dhe vlerësimin personal të atij që do shkruajë recensionin.
Më pas zhvendosemi në një tjetër pjesë (seksion): ajo e sfondit të librit - e cila ndihmon në vendosjen e librit në kontekstin e duhur dhe përcakton kriteret në bazë të të cilave do të vlerësohet. Më tej duhet dhënë një përmbledhje e pikave kryesore të librit duke parafrazuar apo cituar frazat kyçe nga autori.
Në fund, arrijmë në pjesën më të rëndësishme që është vlerësimi personal mbi librin. Në këtë pjesë mund të diskutohen disa nga pikat e mëposhtme :
- Sa ia ka arritur libri qëllimit të tij?
-Çfarë mundësish sugjerohen në libër?
- Çfarë nuk është trajtuar në libër?
- Si krahasohet libri me librat e tjerë mbi të njëjtën temë?
- Cilat pika nuk janë bindëse?
- Çfarë përvojash personale patët ju në lidhje me temën?
Është e rëndësishme të bëhet i qartë dallimi midis mendimit të autorit dhe të atij që përgatit recensionin për të evituar një konfuzion të mundshëm tek lexuesi.
Ashtu si në ese (sprova) të tjera, pjesa e fundit e një recensioni mund të përfundojë me një koment të drejtpërdrejtë mbi librin, duke përmbledhur të gjitha pikat kryesore të kritikës në një konkluzion. Kjo nuk është sigurisht një formulë e detyrueshme, por një rregull i përgjithshëm i dalë nga praktika që parashikon se 1/2 deri tek 2/3 e recensionit duhet të përmbledhë idetë kryesore të autorit, dhe të paktën 1/3 duhet të përmbajë një vlerësim mbi librin. Përshtatuni me lexuesin.
Shembull:
Më poshtë gjendet recensioni i shkruar nga Ruth Rosen tek «Revista e Komunikimit» me objekt librin «Të marrësh seriozisht telenovelat» të autorit Michael Intintoli. Vini re se Rosen fillon me kontekstin e librit të Intintoli-t, duke shpjeguar se si ky libër është i ndryshëm nga libra të tjerë mbi telenovelat.
[...]
Megjithatë Rosen, nuk bie dakord me zgjedhjen e kazusit studimor. Për ta përmbledhur, Rosen mendon se libri i Intintoli është i dobishëm për fillestarët, por nuk i zhvillon shumë aftësitë tona për të pasur një vështrim kritik mbi telenovelat.
Të marrësh seriozisht telenovelat : Bota e dritës udhëzuese.
Michael Intintoli. New York : Praeger. 1984. 248 f.
Qëkurse publiku amerikan filloi të dëgjojë telenovelat radiofonike në vitet 1930, kritikët kanë eksploruar përmbajtjen, formën dhe popullaritetin e këtyre serialeve ditorë.
Sot kritikët mediatik kanë përqasje të ndryshme. Disa eksplorojnë reagimin e audiencës dhe zbulojnë se në varësi të gjinisë, racës apo edhe nacionalitetit, njerëzit deshifrojnë të njëjtën histori në mënyra të ndryshme.
Të tjerë i shohin telenovelat si një trajtë armiqësore të kulturës popullore që mbështet hidhërimet më të fshehura të grave.
Të tjerë akoma shohin telenovelat si një «tekst» dhe tentojnë ta copëzojnë atë, ashtu si një kritik letrar analizon imtësisht një pjesë letrare.
Projekti i Michael Intinoli është disi i ndryshëm. Për të, telenovelat janë një produkt kulturor i mediatizuar dhe krijuar nga interesa korporativiste. Atëherë, është produksioni i telenovelave që është ne qendër të librit «Të marrësh seriozisht telenovelat».
Për të kuptuar krijimin e telenovelave, Intintoli ka adoptuar një metodologji etnografike që kërkoi një qëndresë të gjatë në ambientet e prodhimit të “Drita Udhëzuese”.
Si një antropolog i zoti, ai diskuton për një pjesë të madhe të problemeve dhe shqetësimeve që shoqërojnë produksionin e telenovelave të përditshme. Për një fillestar, ka goxha për të mësuar këtu …
Por libri ndalon pikërisht aty ku idealisht duhej të fillonte. Në shumë aspekte «Drita Udhëzuese» ishte thjesht telenovela e gabuar për t’u marrë si kazus studimi. E transmetuar për herë të parë në 1937-n «Drita Udhëzuese» është telenovela më e vjetër në Shtetet e Bashkuara, e prodhuar nga «Procter and Gamble» që ia shiti CBS. Kjo e bën të përshtatshme për t’u studiuar në lidhje me historikun e ndryshimeve të serialeve ditore. Por ky nuk është projekti i Intintoli-t.
Të marrësh seriozisht telenovelat është një hyrje e mirë në produksionin e telenovelave ditore. Ajo analizon bisedat në telenovela, zbulon hierarkinë e prodhimit të telenovelave dhe përshkruan një pjesë të produksionit korporativist e kulturës së masës.
Për fat të keq, libri perceptohet si një shkrim jo aktual dhe humbet një rast të rëndësishëm për të hetuar mbi ndryshimet në produksionin e telenovelave si dhe kuadrin ideologjik të pa artikuluar në të cilat telenovelat krijohen.
---
- «Llustra» përfundimtare e recensionit.
Pasi të keni përfunduar recensionin, duhet bërë kujdes ndaj gabimeve gramatikore dhe drejtshkrimore. Sigurohuni edhe njëherë për saktësinë e të dhënave bibliografike – autorin, titullin, botuesin.
No comments:
Post a Comment