Fragmenti i mëposhtëm është shkëputur nga një libër mbi gjuhën shqipe që më la një shije shumë të mirë dhe që rrjedhimisht do t’ia këshilloja pa frikë të gjithë kolegëve juristë. Bëhet fjalë për sprovën “Gjuha shqipe ne bunker?!” nga Prof. Mehmet Elezi (botuar si parathënie veprës me të njëjtin autor: Fjalor i Gjuhës Shqipe - rreth 41.000 fjalë që nuk gjinden ne fjalorët e akademisë, Enti Botues Poligrafik Gjergj Fishta, Tiranë, 2006).
Ky libër shtron pyetjen se përse shumë fjalë të gjuhës shqipe – edhe pse janë pjesë e vyer e shqipes - kanë mbetur jashtë Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe të vitit 1980 (“FGJSSH”) dhe/ose nuk përdoren nga shqiptarët. Në ekstraktin e mëposhtëm autori numëron disa prej këtyre përkufizimeve juridike dhe ekonomike.
Teksti publikohet me miratimin e autorit.
FGJSSH - Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe 1980.
Gazulli – i referohet veprës së Dom Nikollë Gazullit me titull "Fjalorth i ri" (fjalë të rralla të përdoruna në Veri të Shqipnisë), Tiranë, 1941.
---
Gazulli – i referohet veprës së Dom Nikollë Gazullit me titull "Fjalorth i ri" (fjalë të rralla të përdoruna në Veri të Shqipnisë), Tiranë, 1941.
---
Caqet juridike e
të tjera të përafërta me këtë fushë në Kanunin e Lekë Dukagjinit e në
përgjithësi në traditën dokësore shqiptare janë shpesh të përsosura. Për fjalën krim, e
njëllojtë në tërë gjuhët kryesore
europiane, ndryshe prej tyre shqipja ka një krejt të vetën: gja, - ji (me sa duket lidhet me gjojë, gjueti). E sjell
Gazulli, gjindet edhe në fjalën e urtë “Djali qi s’ndigjon t’an, del në rrugë e bân
gjan; djali qi s’ndigjon t’amën, del në rrugë e bân gjamën”. Sot përdoret vrasje në tentativë kur gjaji (krimi) nuk kryhet. Në Kanun thuhet
krejt shqip: “vrasje e mungueme”. “Neni…
Vrasa e mungueme”. Për korruptimin e anësinë e trupit gjykues përsëri ka
një fjalë të pastër shqip: krah(a)mbajtje
(mbajtje krahu, ane), dhe për ryshfetin poashtu shqip: nëndore (prej nën + dorë). “Pleqt
do të bâjnë gjyq pa krahambajtje e pa u thye prej nëndoresh…” (Kanuni i Lekë Dukagjinit). Për
bashkëpunëtorin në vjedhje ka një fjalë shqipe të burimit indoeuropian, që del
qysh te Bardhi (1635): kjuer. “Kjori asht ai i cilli e strofullon
gjanë e vjedhun”; “Paraz cubi, paraz kjori”
(Kanuni i Lekë Dukagjinit). Për llojet e dedektivëve: kapucar e fjaltor.
“Gjithsaherë do të flasin pritëtarët me kapucarin, msheftas do të flasin”;
“Shumë herë qillon qi fjaltori, kapucari, asht pjestar me cubat…” (Kanuni i Lekë Dukagjinit). Për njeriun
që di të bëjë kompromise FGJSSH ka një hibrid turko-latin: kompromisaxhi, ndërkohë që në Kanun për atë që bën kompromise
paqëtuese gjindet fjala e pastër shqipe pajetar
(prej foljes me pajtue): “Buka të ban
mik e pajetar” (Kanuni i Lekë
Dukagjinit).
Caqet juridike të Kanunit ose ato që rrojnë në gjuhën e
gjallë, të përditshme, meritojnë hulumtim të veçantë jo vetëm me qëllim
njohjeje por edhe (sidomos) me qëllim përdorimi. Në Pejë e në treva përreth
përdoret folja me shthirrë (“me
çthirrë”) në kuptimin me revokue. Kur
është prerë dita e dasmës e janë njoftuar krushqit, por për një arsye madhore
(prishje e papritur me mikun etj.) dasma
nuk do të bëhet, atëherë thuhet duhet me
i çthirrë krushqit dhe caktohen njerëzit për çthirrje domethënë për revokim. Po në Kosovë për ekspertizë në vendin e ngjarjes përdoret
një fjalë shqipe qepç (sipas gjasave
prej qep “sqep”, ose ka ndërhyrë kjo
fjalë mbi një nënshtresë arabo-turke qefsh), domethënë një shqyrtimi i
imët siç bën qukapiku me sqep në lëvoren e kalbët të trungut.
Shpërfillja e pasurive të tilla gjuhësore në rastin më të
pafajshëm është shprehje e një kompleksi inferioriteti. Për të mos thënë shumë
më keq se kaq: mënjanim i qëllimshëm i vlerave të mirëfillta kombëtare.
Kjo mbasdore ka qenë strategji e diktaturës për tharjen e
rrënjëve, për ta bërë më të lehtë sundimin, në përputhje me parimin marksist
“proletarët s’kanë atdhe”. E meqë rastësisht doli fjala proletar Gazulli ka edhe për të një fjalë shqip: krahatar
“puntuer qi s’ka pronë të vetën e jeton me krahë, lat. proletarius”. Dhe poashtu për parti ka fjalën shqip krahanë (prej krah + anë), të cilën e shpjegon edhe me fjalën përgjegjëse
gjermanisht Partei. E njëjta logjikë gjuhësore:
rrënja latine e parti do të thotë
pikërisht “palë, pjesë, anë, drejtim...”. Madje në shqip është përdorur edhe me
këtë kuptim: një parti mallrash, partia e
parë e mallrave etj. Me kohë kuptimin
fillestar e ka errësuar politika.
Disa prej këtyre caqeve të kufizuara në kohë, pra me
amëtyrë historike, si porotë, betar
etj., edhe kur janë përfshirë në FGJSSH trajtohen në mënyrë të thjeshtësuar,
sipërfaqësore, pa hyrë kund në thelb. Shumë fjalë të së drejtës dokësore
shqiptare e të fushave të tjera po të kishin zë do të klithnin, për shkak të
frymës së zënë prej parimeve orwelliane, përjashtuese, me të cilat janë
trajtuar në atë fjalor. Na lini me u kthye ku kemi qenë, do të thërrisnin. Të
paktën të vdesim të lira.
Nëse ky lloj shtjellimi mund të përligjet sadopak me
ideologjizimin e censurën e kohës para vitit 1990, për shtrembërimin e hapur të
fakteve nga njerëzit e shkencës vështirë të gjindet shfajësim, ashtu siç nuk
mund të gjindet për vijimësinë në këtë frymë edhe sot e kësaj dite. Një shtrembërim
i tillë ka ndodhur me një “institut” fantazëm të quajtur “martesa me provë”, e
që nënkupton një praktikë kur burri e merr bashkëshorten e ardhshme në shtëpi
por ve kurorë me të vetëm pasi të provohet se ajo lind. Sipas Akademisë së
Shkencave të RPSSH, martesa me provë është “një institut i posaçëm, i njohur
edhe nga Kanuni” (Akademia e Shkencave e RPSSH, E Drejta Zakonore Shqiptare,
Tiranë 1989). Por në Kanunin e Lekë Dukagjinit thuhet shprehimisht: “Mndyrët e
martesës: …ç) martesa me provë, kundra fejet e kanujet”. Edhe në shënimet e Sh.
Gjeçovit, botuar në veprën e lartpërmendur, thuhet: “Grueja me provë s’â kanu.
Kjo mënyrë e mbrapshtë se si ka mujtë me hi ndër male tona, s’i dihet as kandi
as skaji”. Siç do ta shtjelloj shkurt në një krye tjetër, këso shtrembërimesh
keqdashëse janë bërë edhe për qëndrimin e Kanunit ndaj gjakmarrjes.
Jo më pak të pasura e krejt të përshtatshme edhe për
kohën e sotme janë caqet ekonomike, bash ato që lidhen me tregun e lirë.
Fjala kryegjâ
në Kanun përfaqëson në thelb pronën bazë ose investimin fillestar. Ndërsa për veprimet financiare me
pare në dorë, për të cilat sot përdoret fjala e huaj cash, Kanuni i ka caqet përkatëse shqip: dora dorës dhe me të këputun.
“Shitblemja dora dorës me të këputme asht kur blesi merr mallin e ep
shpërblimin shitësit dhe ky i thotë “Ja pa(f)sh hajrin”…” (Kanuni i Skanderbegut). “Kanuni i tregtisë blen e shet pa qyshke,
domethanë me të kputun…” (Kanuni i Lekë
Dukagjinit). Edhe për fjalën kusur ose resto, të dyja të huaja, Gazulli sjell një fjalë të pastër
shqipe: cukëm (prej cuk “gur,
rrasapete e vockël”, krijim elementar e
tingullor i gjuhës), e cila ka edhe kuptimin e tepricës. E ilustron me
shembullin: “Më ka mbetë edhe nji
cukëm paresh pa t’i marrë”.
Fjala fajde nga
turqishtja është bërë më familjare se kurrë, duke e turbulluar keq shoqërinë
shqiptare të këtyre viteve të kapërcyellit (tranzicionit). Por në vend të
fjalëve fajde, kamatë, interes në të
holla Gazulli ka një fjalë tjetër të pastër e të vjetër shqip: gjedheshtër. Vjen prej një baze gjedh që do të thotë “lopë, të trasha” e
trajtuar kjo si pasuri ashtu si fjala latinisht lucrum në gjuhët romane; madje te Dizdari gjejmë edhe lukër
po me këtë kuptim, si sinonim të faiz. Ndërsa Kanuni ka nje cak tjetër
poashtu krejt shqip, shtojcë fitimi.
“Kanuja e maleve nuk njeh uha me shtojcë fitimi (fajde). Kanuja njeh uha të
thjeshtë: sa të dhaçë, ke me më dhanë”
(Kanuni i Lekë Dukagjinit).
Edhe për borxh me
gurrë prej turqishtes shqipja ka fjalën e vet përlim. Lidhet me foljen me
u përlye, mbasi moralisht borxhi vlerësohet si një përlyerje prej së cilës
duhet shpëtuar. Prej aty ka marrë edhe kuptimin e detyrës, detyrimit e
më tej të programit. Gjindet në këto kuptime në Kanunin e Lekë
Dukagjinit, te poezia e sidomos te publicistika e Fishtës shumë shpesh dhe te
autorë të tjerë. “Tagri dhe përlimi i
shkuesit” (Kanuni i Lekë Dukagjinit). “… s’e ndalë, ku atë ta lypë përlimi/ As
paja, as friga…” (Gj. Fishta, Burrnija). “…merret
vesh edhe përlimi ose programi i të përkohshmes sonë…” (Gj. Fishta, Vepra letrare, 9).
Në vend te fjalëve reklamë
ose publicitet, me të cilat ndeshemi
sa herë shtypim butonin e ekranit të vogël, shqipja ka të paktën tri fjalë të
barazvlefshme, dy të regjistruara në Tropojë e një në Tiranë. Janë pahninë, prej pah, me qitë në pah; dhe dokël, prej foljes me u dokë/ me u dukë. Që të dyja përdoren në shprehje të tilla si hiqmu tij se ka qef me i ba pahnina (përkatësisht dokla) veti; na mërziti tuj bâ pahnina (dokla) etj. Dokël del shumë e afërt me dukla,
një fjalë e toskërishtes jugore me kuptimin “përpjekje për t’u dukur, mburrje”.
E treta është bizerinë, emri i një grenze me ngjyrë të kuqe që kafshon
tinëz (për gurrën krahaso pizël, pizërr, krijime elementare të gjuhës,
në këtë rast me shllimin e thumbit), që përdoret figurshëm në kuptimin reklamë.
Ajo grue asht e bukur, po ta mërzit, ka shumë bizerina (reklama).
Edhe për konkurencë,
ambicje (për t’ia kaluar tjetrit), shqipja ka fjalën e vet, mbase me një
fillesë gazidhët (ironike), por që gjithësesi i përgjigjet kuptimit: gjeleshí (prej gjel). Përdoret në Lumë. Ndërsa për caqe të tjera të tregut si ortaki, ortakisht, me punue me ortak
Gazulli sjell përkatësisht krahazim,
krahazisht, me u krahazue (prej krah,
me punue në krah, krahas).
Për pension
gjuha shqipe ka dy fjalë: ngoje (prej
në + gojë) dhe mëngoje (prej më + ngoje).
Të parën e ka Kanuni, kur bën fjalë për gratë veja që nuk kanë fëmijë e s’ka
kush me i mbajtë në pleqëri: “Toka e burrit do t’i qesin ngojën (tri barrë
drithë…) deri në dekë” (Kanuni i Lekë
Dukagjinit). Të dytën e ka Gazulli, i cili sqaron: “Me i qitë (lidhë) kuj mbëngojën: me i dhanë pensionin (fjalë Kanuje përdorë për gra të veja që
s’kishin fëmijë)”.
Edhe fjala kompensim
ka hyrë krejt pa nevojë. Shqipja i ka dy fjalë të brumit të vet me të njëjtin
kuptim: krahnuer, prej krah dhe shkanzë, gurra e së cilës do studiuar, por ndoshta lidhet me anë, ancë. “Kur toka që ndahet asht e pakët, për krahnuer i epet
vetëm nji ka i mirë ase vlera e tij, tepër pjesës që i takon” (Kanuni i Skanderbegut); “Toka ma e
madhe apo ma e mirë ka shkanzë e yst, kur shndrrohet me nji tokë tjetër ma të
vogël e ma të dobtë” (Kanuni i Skanderbegut). E të tjera.
No comments:
Post a Comment