04 December 2012

Panoramë e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë (korrik-shtator 2012)

Nga Rudi Metaj dhe Blerta Ngucaj
Avokatë
 

Të dashur të gjithë, 
 
Gjeni më poshtë një përmbledhje të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese (“GjK”) të Shqipërisë (periudha korrik-shtator 2012). Metodologjia e prezantuar më parë është zbatuar edhe këtë rradhë.
---

1. Vendimi nr. 38, datë 05.07.2012:
 
Kërkesa për rishikimin e një vendimi gjyqësor që ka marrë formë të prerë mund të paraqitet përtej afatit një vjeçar të nenit 445 të Kodit të Procedurës Civile (“KPC”) me kusht që ajo të respektojë kushtet e nenit 496 të KPC. 
 
 
2. Vendimi nr. 39, datë 18.07.2012
 
Vështirësisht i përmbledhshëm në një paragraf – ky vendim mbështet qëndrimin sipas të cilit padia për kthimin e trashëgimisë (Neni 349 i Kodit Civil) mund të ngrihet vetëm kundrejt subjekteve që (pretendojnë se) gëzojnë cilësinë e trashëgimtarit ligjor ose testamentar të trashëgimlënësit. 
 
Eshtë për t’u veçuar mendimi i pakicës dhe analiza gjuhësore, historike, krahasuese dhe logjike e gjyqtarëve Petrit Plloçi dhe Bashkim Dedja. 

3. Vendimi nr. 40, datë 18.07.2012:
 
Dita në të cilën vendimi shpallet ose i komunikohet palëve nuk numërohet për qëllimet e llogaritjes së afateve për të ushtruar të drejtën e apelit apo rekursit.
 
 
4. Vendimi nr. 41, datë 19.07.2012:
 
GjK nuk e ka konsideruar antikushtetues pezullimin e përtëritjes së përbërjes së GjK nga ana e Kuvendit, e cila passjell qëndrimin në detyrë tej mandatit kushtetues prej 9 vjetësh të tre anëtarëve të saj dhe si rrjedhojë ka rrëzuar kërkesën e Presidentit të Republikës mbi këtë situatë. GjK arsyeton se gjyqtari kushtetues ka të drejtë të qëndrojë në detyrë deri në ardhjen e gjyqtarit të ri në mënyrë që drejtësia kushtetuese të mos bllokohet dhe po ashtu Kuvendi ka të drejtë të vendosi mënyrën e përshtatshme që përbërja e GjK të përtërihet sipas një koncepti të caktuar kushtetues (në këtë rast mosshqyrtimi i dekreteve presidenciale deri në prill 2013, kohë në të cilën zhvillohet përtëritja e rradhës).

Po ashtu GjK konsideron se nuk ka konflikt kompetencash mes dy organeve kushtetuese (Presidenti dhe Kuvendi) por mungesë komunikimi dhe bashkëpunimi institucional.
 
 
5. Vendimi nr. 43, datë 19.07.2012:
 
Ndër të tjera, GjK thekson se organet shtetërore duhet të përmbushin detyrimet që rrjedhin nga një vendim gjyqësor sapo ky i fundit të jetë bërë i ekzekutueshëm (pra, pa pritur nisjen e procedurave përmbarimore). GjK rikujton se vendimet e Gjykatave të Apelit janë të formës së prerë dhe rekursi ndaj tyre nuk përbën shkak për pezullimin e ekzekutimit të tyre.
 
 
6. Vendim nr. 44 datë 20.07.2012:
 
Megjithëse nuk parashikohet shprehimisht nga legjislacioni në fuqi, rivendosja në afat për të parashtruar një kërkesë individuale pranë Gjykatës Kushtetuese mund të lejohet duke zbatuar me analogji nenin 445 të Kodit të Procedurës Civile.
 
 
7. Vendimi nr. 45, datë 23.07.2012:

Mendimi i ekspertit është një mendim i specializuar dhe si rrjedhojë ka një peshë të veçantë në gjykimin gjatë të cilit paraqitet. Megjithatë, çmimi i provave në përputhje me rrethanat e çështjes mbetet kompetence e gjykatave dhe ato nuk janë të detyruara të pajtohen sistematikisht me mendimin e ekspertit.
 
 
8. Vendimi nr. 47, datë 26.07.2012:
 
GjK ka shfuqizuar si të papajtueshme me Kushtetutën, Nenet 190, 191 dhe paragrafin e fundit të Nenit 29 të Kodit Penal. Nenet 190, 191 parashikojnë caktimin e dy dënimeve kryesore (burgim dhe gjobë) për veprat penale të falsifikimit dhe Neni 29 legjitimon caktimin e dy dënimeve kryesore. GjK arsyeton se parashikimi i dy dënimeve kryesore nga ligjvënësi ndërhyn në atributet që gëzojnë gjykatat e zakonshme në dhënien e vendimeve. 
 
Në rastin e Neneve 190 dhe 191, dy dënime të tilla nuk janë në përpjestim me rrezikshmërinë e veprës penale dhe për më tepër caktimi i këtyre dënimeve apriori nga ana e ligjvënësit bie ndesh me individualizimin e dënimit që mbështetet në rrethanat rënduese dhe lehtësuese të çështjes.

No comments:

Post a Comment